Rumania merr kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian
kosova
Rumania merr kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian

Rumania merr kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian

Rumania po merr kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, në një kohë që është nën vëzhgim të kujdesshëm lidhur me sinjale shqetësuese për shtetin ligjor dhe demokracinë. Presidenti i vendit tha se marrja e presidencës është një shans për të treguar se Bukureshti përqafon vlerat demokratike, por gjashtë muajt në vazhdim do të provojnë vërtetësinë e këtij angazhimi.

Presidenti Klaus Iohannis tha në Bukuresht se ndasitë politike brenda vendit janë të kapërcyeshme.

“Shpresoj që të gjeni një vend të përgatitur mirë për Presidencën (e BE-së). Filluam mbrëmë me një aktivitet shumë të mirë kulturor. Kultura na bashkon, politika jo gjithmonë. Por mendoj se do të jemi në gjendje të provojmë se arti i politikës është diçka që mund të perfeksionohet”, tha zoti Iohannis.

Rumania, vendi i dytë më i korruptuar i Bashkimit Evropian, është i përçarë politikisht dhe nën mbikqyrjen e BE-së lidhur me shqetësime për shtetin ligjor. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se Bukureshti do të dëmtonte shtetin ligjor, nëse dekriminalizonte disa forma korrupsioni dhe u ofronte amnisti shkelësve.

“Është e vërtetë që Evropa është ndërtuar në bazë të kompromisit, por nuk mund të ketë kompromis kur bëhet fjalë për thelbin e shtetit ligjor. Dhe thelbi i shtetit ligjor do të ndikohej negativisht nëse shpallej një amnisti, siç shpresojnë disa në këtë vend. Ky do të ishte një hap prapa”, tha ai.

Udhëheqësi i partisë Social-Demokrate në pushtet, Liviu Dragnea është shpallur fajtor për manipulim votash dhe ka kërkuar ndryshime, mes së cilave dekretimin e faljeve dhe amnistisë, nga të cilat do të përfitonte edhe ai vetë. Ai mohon të ketë bërë ndonjë shkelje, por nuk mund të bëhet kryeministër.

Në nëntor, ligjvënësit miratuan një projekt-ligj të propozuar nga social-demokratët dhe partneri i tyre i koalicionit që do të zhdukte provat e përgjimeve, të përdorura për të ndjekur penalisht raste të kaluara të korrupsionit dhe mund të shfuqizonte qindra dënime.

Nëse miratohet ai do të zhdukte në mënyrë prapavepruese prova të interceptuara nga shërbimet e zbulimit me kërkesën e prokurorëve, mbështetur në fletë-arresti lëshuar nga gjykatat.

Presidenti centrist Iohannis i ka kritikuar planet e Social-Demokratëve për të ndryshuar rregullat e gjyqësorit, gjë që ka shqetësuar BE-në.

© ZHURNAL 11.01.2019, 19:52 | T.E. | 531 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."