SHF “Vasill Gllavinov” në Çair po rikonstruohet
maqedonia
SHF “Vasill Gllavinov” në Çair po rikonstruohet

SHF “Vasill Gllavinov” në Çair po rikonstruohet

Shkup, 11 janar - Një prej shkollave më të vjetra fillore në Shkup – SHF “Vasill Gllavinov” në Çair është duke u rikonstruuar me ç’rast janë investuar mbi 14 milionë denarë. Me rikonstruimin janë përfshirë tre blloqet e shkollës dhe përfshin sanim të plotë të brendshëm të instalacionit elektrik.

“Pasi të përfundojnë punimet ndërtimore në këto tri blloqe, do të vazhdojmë me furnizimin publik edhe për bllokun e fundit G dhe rikonstruimin e plotë të sallës sportive të kësaj shkolle. MASH siguroi mjete në kuadër të njësisë së projektit dhe për çatinë e shkollës, me investim prej mbi 10 milionë denarë. Maksimalisht jemi të përkushtuar ta përmirësojmë infrastrukturën, jo vetëm në Komunën e Çairit, por edhe në nivel kombëtar ku ka nevojë”, deklaroi ministri resor Arbër Ademi, i cili sot e vizitoi objektin shkollor i shoqëruar nga kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

Ademi theksoi se është optimist dhe se nëse vazhdojnë me aktivitetet dhe me realizimin si edhe në gjysmën e dytë të vitit 2018, pret të kenë realizim të mirë të investimeve kapitale edhe në vitin 2019.

Mësimin në SHF “Vasill Gllavinov” e ndjekin rreth 900 nxënës të bashkësive të ndryshme etnike. Objekti është që para tërmetit – pjesa e vjetër është ndërtuar në vitin 1956 ndërsa dy blloqe janë rindërtuar në vitin 1968. Punimet ndërtimore të fazës së parë pritet të zgjasin deri në prill, ndërsa deri atëherë mësimin nuk do të ndërpritet. Drejtori Qamuran Kuçi tha se për zhvillimin e mësimit përkohësisht do të shfrytëzohen edhe katër klasë në shkollën e natës “Makarenko”.

Në pyetjen e gazetarëve ministri Ademi u përgjigj se në Komunën e Dibrës janë ndryshuar emrat e dy shkollave, të cilat kanë qenë në procedurë nga viti 2012.

© ZHURNAL 11.01.2019, 14:16 | Xh.I. | 2,183 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."