Himni mbi gënjeshtrën
opinion
Himni mbi gënjeshtrën

Himni mbi gënjeshtrën

Ismail ARSLLANI

  1. Në vendet me sistem të zhvilluar të demokracisë, synohet prore nxjerrja në shesh e së vërtetës, sepse ajo u takon njerëzve të lirë. Ata që gënjejnë janë peng të mashtrimeve të veta, janë robër.

Në politikë shpesh po instrumentalizohet e vërteta, ajo ruhet në “sirtarë” dhe nxirret sipas nevojës për dedikime të posaçme. Të jesh i mençur në politikë dhe në jetë, do të thotë të dallosh të vërtetën, atë të cilën duhet thënë dhe atë të cilën duhet heshtur.

Pushteti mbetet në fuqi me mashtrime, ushtrim të frikës dhe para të pista.

Politikanët kanë mbërthyer tërë shoqërinë në lojën e tyre. Vetëm kur të treten instrumentet e dhunës psikofizike dhe lojërat me kundërmim të fëlliqur, atëbotë “shtresat e ulëta” do t’i hedhin prangat dhe ngufatja do të marrë frymë lirshëm.

Demokracia, në fillimet e saj, mes nesh shkaktonte entuziazëm e ekzaltim, për t’u shndërruar më vonë në një kurth të lirisë. Liria ndërkaq, dihet botërisht, tretet me humbjen e demokracisë. Vetëm demokracia i jep shpirt asaj. Cila do prej tyre që të humb, në fakt humben që të dyja, edhe liria edhe demokracia.

  1. Pushteti, nëpërmjet instrumenteve të politikës, ushtron mbi popullin veprime “mazohiste”, me premisa politike psikodramatike.

Diplomatë të kancelarive evropiane po ngulin këmbë që të na ndërgjegjësojnë, bashkë politikanë e popull, por lajthiten lehtë nga “mjeshtrit” e politikës ballkanike.

Ende jemi larg realitetit qytetërues. Psikologët do të na kategorizonin në subjekte “devijuese”, shkaku i megalomanisë së rreme, në njërën anë, dhe nënshtrimit patologjik, në anën tjetër.

Në të vërtetë, po thellohet provincializmi dhe primitivizmi, hapet shteg për njëmendësinë. S’bëjnë para as faturat që u adresohen liderëve politikë e pushtetmbajtës. Pasojat por, do t’i mbartë populli, i cili është në përgjumje të thellë.

Populli s’është i vetëdijshëm se ka armën e votës dhe forcën e madhe, për të bërë ndryshimin e proceseve dhe arritjen e kthesave pozitive!

Në këtë kohë të përmbysjes së vlerave, të inflacionit dhe hiperdevalvimit të informacionit, shtrirjes së informatave pa asnjë kriter në paletën e gjerë të medieve, pluralizmit jo konstruktiv të mendimeve, mungesës së kontrollit profesional, “miksimit” të vlerës me antivlerë, shkaktohet një “mish-mash” në strukturën mentale të njerëzve, sidomos të atyre që apriori absorbojnë si të vërtetë çdo gjë që del në sheshin informativ.

Në politikë, për çështje të ndryshme, arrihen marrëveshje mes palëve.

Në të gjitha marrëveshjet, kontratat, kompromiset, konsensuset e koncesionet, “miksohen” në doza të ndryshme, e vërteta dhe gënjeshtra. Në këtë komplement, si me rregull, gjithherë ato marrëveshje përfundojnë në dëm të së vërtetës.

  1. “Gjuha politike është shpikur për të bërë që gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta”, ka thënë novelisti i njohur i kronikave angleze, George Orwell.

Një gënjeshtër e përsëritur 100 herë, do të dalë si e vërtetë, fenomen ky që mund të haset në mentalitetin e politikanëve ballkanas.

Politika është art i të mundshmes, ajo nuk është statike, është fleksibile, deri në përmasa të pabesueshme. Për atë shkak, del që populli nuk i “kupton” politikanët. Ata sjellin me veprimet e tyre befasi të vazhdueshme.

Të jesh i sinqertë në politikë është hiç më pak se një naivitet, ndërsa mes politikës dhe sinqeritetit ka barriera të pakalueshme.

Populli thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra!” Jo, qe besa, gënjeshtra i ka zgjatur këmbët tej më tej.

Gënjeshtra, për nga natyra e psikikës njerëzore, ka një trase të hapur të depërtimit marramendës. Ajo kapërdihet shumë më lehtë nga masat diletante, të cilat janë pre e ndikimeve të jashtme.

E vërteta shpesh di të jetë e hidhur, sado që të gjithë e gjakojmë atë. Ajo (e vërteta) mund të shkaktojë edhe urrejtje, frikë, shqetësim, hidhërim tek ai, të cilit i adresohet.

Sado që të fshihet e vërteta, një ditë atë do ta zbulojë koha. Koha është armiku më i madh i gënjeshtrës.

“Më shumë durohet armiku që e thotë të vërtetën në sy, sesa miku që gënjen“, thotë një urti. Politikanët gënjejnë në gjithë botën, por vetëm te ne u besojnë  gënjeshtrave të tyre.

Kjo vetvetiu flet për strukturën mentale të njerëzve, të cilët të pavërtetën e “konsumojnë” si të vërtetë, dhe kështu i japin jetë strukturave politike, që me mekanizma politikë t’i shtypin të drejtat universale dhe ligjore të atyre që besuan në të pavërteta.

© ZHURNAL 10.01.2019, 20:35 | T.E. | 2,932 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."