Shqiptarët, pro evropian!
opinion
Shqiptarët, pro evropian!

Shqiptarët, pro evropian!

NATO-ja dhe BE-ja janë mundësia e shqiptarëve, maqedonasve, turqve, që politika deri tash ju ka marrë shpirtin, dinjitetin, duke i lënë të varfër, duke i turpëruar si skllevër, duke i zvarritur nëpër dyert e partive për një vendim punësimi…

Nga Dr.Arben TARAVARI

Pothuajse çdo njeri prej nesh ka dëgjuar për Llampën Magjike të Aladinit e cila të plotësonte tre dëshira. Kjo përrallë arabe e cila tregohet edhe sot si çdo përrallë klasike, i jep personazhit kryesor, Aladinit, mundësinë magjike që t’i realizohen dëshirat. Mirëpo fabula i ka dëshirat e limituara, janë vetëm tre. Ndërkohë që nga kjo fabul kanë dalë me dhjetëra e qindra barsoleta që tregojnë për një fatlum që gjen një peshk të artë i cili surrealist të plotëson tre dëshira. Ai/ajo që e ka gjetur i çon kot këto dëshira dhe humbet mundësinë e peshkut të artë! A është Referendumi një lloj Llampe Magjike, një lloj Peshku i Artë që në 30 shtator do të na pyet: çfarë dëshire keni?! Sigurisht që Po! Ky është një moment historik për shtetasit e këtij vendi. Një moment që nuk buroi nga politika progresiste e viteve të fundit, absolutisht jo. Ky ishte një konflikt historik i cili provokonte vetëm kriza politike me fqinjët grek, që përktheheshin në varfëri edhe më të skajshme. Sipas shifrave statistikore 700 mijë persona kanë emigruar këto 10 vitet e fundit. Po mbyllen klasa çdo vit e më shumë se nuk plotësohet numri i nxënësve. Në çdo tavolinë me 4 veta, 3 e kanë mendjen për të ikur!
Kjo është një situatë e paprecedentë në të cilën ndodhet vendi. Pikërisht në këtë ditë hallemadhe na vjen Evropa dhe na pyet: doni t’ju ndihmojmë? Kjo pyetje është nga ato që bëhen 1 herë në 1000 mijë vjet a mos më shumë, ndoshta dhe kurrë më! Hyrja tani në NATO është një mundësi e jashtëzakonshme. Na kanë dhënë çelësat në dorë dhe në datë 30 shtator na çojnë para derës, na thonë hapeni. Ne duhet vetëm të rrotullojmë çelësat, nëse jo, na i marrim dhe vetëm Zoti e di nëse do na i japin më, dhe si do jemi katandisur ne deri në mrekullinë e radhës, gjithnjë nëse ajo ndodh! Të bëhemi pjesë e NATO-s do të thotë të jemi pjesë e një pakti xhentëllmenash, ku çdo anëtar është i barabartë, ku nuk ka politikë diskriminuese, ku demokracia dhe barazia janë jo vetëm Fjalë, por Aksione që janë dhe qëllimi i këtij pakti, janë aq shumë sa me çdo kusht i mbrojnë deri në fund.
Të jesh në NATO do të thotë që shtrohesh në tavolinën e Evropës Punëtore dhe të Amerikës edhe më Punëtore. Të jesh skuadër me ta! Të të mbrojnë dhe t’i mbrosh! Të jesh pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (OTAV në shqip), pra e NATO-s domethënë të jesh një hap larg BE-së që është vendi ku çdo shtet i cili kërkon më të mirën për qytetarët e tij, duhet të jetë! Në NATO jemi më të fortë, kemi miq shumë të rëndësishëm të cilët na konsiderojnë pjesë të familjes së tyre. Kjo përkthehet në më shumë mundësi për secilin nga ne! Ndaj ne metafora e Llampës së Aladinit apo Peshkut të Artë është shumë asosaciuese për këtë momentum në fatin tonë. Sipas gjykimit tim është një Referendum Retorik, pasi të gjithë ne duam më të mirën për veten, ndaj përgjigjja duhet të jetë PO në 30 shtator, ndryshe pa asnjë faj bota do të na bëj subjekt të anekdotave e barsoletave të shumta si fatlumët që ju erdhi Peshku i Artë po i thanë ik se nuk na pëlqen, ngjyra jote e artë nuk na shkon me perdet dhe mobiljet, ndaj nuk duam të na plotësosh asnjë dëshirë…
NATO-ja dhe BE-ja janë mundësia e shqiptarëve, maqedonasve, turqve, që politika deri tash ju ka marrë shpirtin, dinjitetin, duke i lënë të varfër, duke i turpëruar si skllevër, duke i zvarritur nëpër dyert e partive për një vendim punësimi… NATO-ja dhe BE-ja janë ato që Zoti na ka i sjellë para syve, le të jemi të mençur e të pranojmë këtë mundësi, le të bëjmë atë që do forconte popullin dhe do dobësonte “boss-at politikë”. Le të mos bëhemi subjekt talljeje dhe kryesorja le të rrezikojmë të bëhemi prè e ndonjë diktatori që ka kohë që mban sytë nga Ballkani! Ne jemi pro evropianë, pro amerikanë, se ne jemi Shqiptarë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

© ZHURNAL 22.09.2018, 19:50 | B.M. | 1,751 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."