ANASHKALIMI I IVANOVIT NGA NDËRKOMBËTARËT Analistët: Perëndimi nuk mbështet ata që punojnë kundër së ardhmes evropiane
maqedonia
Anashkalimi i Ivanovit nga ndërkombëtarët Analistët: Perëndimi nuk mbështet ata që punojnë kundër së ardhmes evropiane

Anashkalimi i Ivanovit nga ndërkombëtarët Analistët: Perëndimi nuk mbështet ata që punojnë kundër së ardhmes evropiane

Shkup, 14 shtator - Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, është një nga kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes me Greqinë, së bashku me VMRO DPMNE-në e opozitës, e cila gjithashtu këtë marrëveshje, ngjashëm si kreu i shtetit e vlerëson si “kapitulluese” për vendin.

Ivanov në të gjitha paraqitjet ka thënë se me këtë marrëveshje “rrënohen themelet e shtetit, humbet identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase”.

Ky qëndrim i ngurtë i presidentit, ka bërë që ai të anashkalohet nga shumë personalitete të larta ndërkombëtare që së fundi kanë vizituar Maqedoninë, në mbështetje të marrëveshjes me Greqinë dhe suksesin e referendumit më 30 shtator, që është vendimtar për zgjidhjen e kontestit të emrit mes dy shteteve dhe zhbllokimin e procesit euro-integrues.

Mes diplomatëve të shumtë, me Ivanovin nuk janë takuar kancelarja gjermane, Angela Merkel, e as ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell.

Kjo, sipas njohësit të çështjeve politike dhe të sigurisë, Nikolla Dujoski, flet se perëndimi nuk mbështet personalitete që punojnë kundër së ardhmes evropiane të vendit të tij, siç shprehet ai.

Dujoski thotë se presidenti Ivanov tashmë qartë shihet se më shumë është i interesuar për të mbrojtur nga ndjekja penale ish-zyrtarët e Qeverisë së kaluar, të akuzuar për keqpërdorime të shumta se sa për zgjidhjen e kontestit me Greqinë dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

“Presidenti Ivanov është një rast i pashpresë, politikan i shekullit të kaluar. Ai nuk ka asnjë pikë të përbashkët me Maqedoninë e shekullit XXI. Nuk pres që ai të ndryshojë agjendën e tij, që bazohet në mbrojtjen e ish-zyrtarëve të akuzuar për keqpërdorime të shumta”, ka deklaruar Dujoski për Rel.

Por, Risto Nikovski, ish-diplomat i Maqedonisë në NATO, Moskë dhe vende të tjera, thotë se anashkalimi i presidentit nga vizitat e përfaqësuesve ndërkombëtar, flet qartë se perëndimi dëshiron të imponojë qëndrimin e tij për referendumin dhe kjo të mos i lihet qytetarët që lirshëm të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Vetë fakti se një pjesë e këtyre personaliteteve të huaja e anashkalojnë presidentin, flet për pafytyrësinë e tyre, që në fakt flet se bëhet fjalë për interesa të huaja që kanë për qëllim kapitullimin e vendit tonë”, thotë Nikovski.

Ivanov në pozitën president i shtetit është tani dy mandate dhe në dy ciklet zgjedhore ai është caktuar nga VMRO-ja, e cila atëherë ishte në koalicion me BDI-në e Ali Ahmetit.

Kjo parti tani shprehet kundër Ivanovit, i cili siç thonë, nuk ka fuqi të pengojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Presidenti Ivanov është faktor jo shumë i rëndësishëm pasi aq shumë i madh është ndikimi i kësaj marrëveshjeje, aq është e madhe energjia që është liruar nga kjo marrëveshjeje që nuk e ka lënë indiferent tërë botën, kështu që vlerësoj se Ivanovi është figurë e vogël politike për të penguar një furtunë të tillë politike, e cila është përhapur më 17 qershor më rajon”, ka deklaruar Bujar Osmani nga BDI-ja, njëherësh zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Presidenti Ivanov në vazhdimësi është kritikuar edhe për mosdekretimin e Ligjit për gjuhën shqipe, me arsyetimin se është antikushtetues pasi shqipen e bën gjuhë të dytë zyrtare, që sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën.

Pavarësisht kritikave, kreu i shtetit ka thënë se qëndrimin nuk do ta ndryshojë dhe se deri në fund të mandatit, që skadon në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, do t'i mbrojë qëndrimet që, sipas tij, kanë për bazë interesat kombëtare e shtetërore.

© ZHURNAL 14.09.2018, 15:10 | D.J. | 4,066 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."