Nesër fillon gjykimi për dhunën në kuvend, do të vazhdoj edhe procesi gjyqësor për “Monstrën”
maqedonia
Nesër fillon gjykimi për dhunën në kuvend, do të vazhdoj edhe procesi gjyqësor për “Monstrën”

Nesër fillon gjykimi për dhunën në kuvend, do të vazhdoj edhe procesi gjyqësor për “Monstrën”

Shkup, 21 gusht - Nesër fillon gjykimi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. 30 persona të akuzuar në role të ndryshme, do të japin llogari për përgjakjen e deputetëve dhe gazetarëve dhe okupimin e institucionit më të lartë ligjvënës. Kryetar i këshillit gjyqësor është caktuar Dobrilla Kacarska, e cila është e njohur për rreptësi dhe përpikëri në procese, dhe për dënimin që ia dha ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kjo gjykatëse ka caktuar madje 38 seanca gjyqësore prej përpara, kështu që deri në nëntor të këtij viti, çdo javë nga të paktën tre ditë të javës, do të jenë të rezervuara për gjykimin e 27 prillit. Kjo do ta vështirësojë tejet shumë edhe komunikacionin pasi që të akuzuarit për terrorizëm, sillen me masa tejet specifike të sigurisë nga burgjet e Maqedonisë. Akuza për 27 prillin u ngrit në mars të këtij viti. 28 persona akuzohen për terrorizëm, ndërsa dy për ndihmë. 3 janë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me tentativën e tretë, nesër gazetarët dhe familjarët në rastin “Monstra” do të mund të dëgjojnë edhe dëshminë e dëshmitarit të koduar E1 i cili për gjashtë vite me radhë, ka qenë i eksponuar vetëm në pyetjet e avokatëve dhe të prokurorëve. Pas kërkesës së pjesëmarrësve në gjykim, gjykatësi Ognen Stavrev së bashku me Osman Shabanin, vendosën që kjo deklaratë e tij të jetë publike, por me zë dhe fytyrë të mbuluar, në mënyrë që mos ti kërcënohet siguria.

Herën e parë kur ishte paraparë që të dëshmojë E1shi,  seanca ishte anuluar, ndërsa herën e dytë kur ai duhej të paraqitej, mungonte gjykatësi Osman Shabani i cili kishte marrë pushim mjekësor. Deklarata e dëshmitarit E1 është tejet e rëndësishme për këtë proces pasi që është një prej provave kryesore në bazë të të cilave janë dënuar me burg të përjeshtëm të akuzuarit për vrasjen. E1 shi kishte tejet deklarata kontradiktore gjatë procesit gjyqësor të disa viteve më parë, por megjithatë, gjykata dhe prokuroria ia rritën relevancën. E1shi shpesh ngatërronte edhe pamjet e të akuzuarve edhe veshjet që gjoja i kanë patur natën e vrasjes, dhe asnjë prej këtyre gjoja llapsuseve, nuk janë marrë parasysh si mundësi për deklaratë të rrejshme.

Deri më tani, në një proces të përsëritur gjyqësor, rasti Monstra nuk pati ndonjë pikë kthese, përveç faktit që dhanë dëshmi të gjithë të akuzuarit dhe për herë të parë, u panë edhe video inçizimet se në çfarë mënyrë është marrë në pyetje Haki Aziri i cili e ndryshoi deklaratën.

Por në këtë proces dolën edhe disa pretendime të familjarëve të djemve të vrarë se ekzistojnë pesë funksionarë të BDI-së identiteti i të cilëve ruhet si sekret shtetëror, që kanë njohuri ose lidhje me rastin Monstra. Pasi që prokuroria speciale e mori këtë rast dhe filloi rigjykimi, procesi gjyqësor rrjedh shumë  më ndryshe dhe pa etiketat terroristë islamikë. Por akuza mbetet e njëjta, derisa të dëshmohet e kundërta. /shenja/

© ZHURNAL 21.08.2018, 19:53 | B.M. | 697 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."