Më shumë se dy milionë besimtarë në pelegrinazhin e Mekës
maqedonia
Më shumë se dy milionë besimtarë në pelegrinazhin e Mekës

Më shumë se dy milionë besimtarë në pelegrinazhin e Mekës

Mekë, 21 gusht - Rreth 2,4 milionë besimtarë në pelegrinazhin e Mekës kryen sot ritualin e goditjes me gur të Shejtanit, në ditën e parë të Aïd al-Adha, festa e sakrificës që përkujtohet nga myslimanët në të gjithë botën.

Me thirrjen "Allah Akbar" (Zoti është më i pushtetshmi) besimtarët parakalonin me turma të vazhdueshme, nën syrin vigjilent të forcave të sigurisë për të hedhur gurë mbi kolonat që simbolizojnë Shejtanin në luginën e Minas, pranë Mekës.

Pelegrinët ecën në një kompleks në Mina ku hodhën gurë mbi tre kolona. Myslimanët besojnë se djalli u përpoq të fliste me profetin Ibrahim duke sfiduar vullnetin e zotit.

Myslimanët besojnë se besimi i Ibrahimit u testua kur zoti e urdhëroi atë të sakrifikonte djalin e tij të vetëm, Ismail. Zoti i mbajti dorën duke i kursyer jetën të birit.

Në versionin kristian dhe hebre të historisë, Abrahami u urdhërua të vriste të birin, Isak. Ditët e fundit të Haxhit koinçidojnë me festën e Kurban Bajramit, apo festën e sakrificës, pikërisht në nder të vënies në provë të besimit të profetit Ibrahim.

Myslimanët therin në këtë ditë bagëti dhe ia shpërndajnë mishin të varfërve. Rreth 1 miliardë myslimanët e botës do të jenë sot në festë në të gjithë planetin. Vëmendja është drejtuar drejt Mekës me jo myslimanët që ndalohen të hyjnë në qytet gjatë riteve të shenjta.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, veç ritualeve të Kurban Bajramit, ka edhe një spektakël fishekzjarrësh.

Në Afganistan ka nisur një armëpushim të hënën, në prag të festës. Nga Kajro në Aman, e gjithë bota myslimane po bën përgatitjet e fundit për festën e sakrificës, me rroba të reja e tryeza të mbushura më së miri.

Haxhi është një nga pesë detyrimet kryesore fetare të besimtarëve myslimanë dhe çdu mysliman duhet të paktën një herë të shkojë në Haxh , nëse ka mundësi.

© ZHURNAL 21.08.2018, 19:30 | B.M. | 758 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."