Marrëveshja me Greqinë është hyrja në NATO, protokolli për anëtarësim në janar të vitit 2019
maqedonia
Marrëveshja me Greqinë është hyrja në NATO, protokolli për anëtarësim në janar të vitit 2019

Marrëveshja me Greqinë është hyrja në NATO, protokolli për anëtarësim në janar të vitit 2019

Shkup, 21 gusht - Gjatë bisedimeve për inkuadrim, Republika e Maqedonisë do të duhet të konfirmojë se në tërësi i pranon dispozitat prej marrëveshjes themelore të NATO-s dhe të gjitha standardet politike dhe juridike të Aleancës dhe të konfirmojë se e pranon në tërësi procesin e planifikimit të NATO-s për mbrojtjen dhe lidhjen me strukturat ushtarake, kumtuan prej Qeverisë së RM-së duke i shpjeguar kushtet të cilat Maqedonia duhet t'i plotësojë gjatë periudhës së ardhshme.

"Republika e Maqedonisë duhet të deklarojë përkushtim dhe gatishmëri se do t'i respektojë standardet politike të NATO-s, çështjet e mbrojtjes dhe ushtarake, se do të ndajë mjete të mjaftueshme për zbatimin e të gjitha obligimeve, se tërësisht do të marrë pjesë në strukturat e Aleancës dhe çështjet e tjera lidhur me sigurinë. Do të duhet të shpreh gatishmëri se do të qaset drejt marrëveshjeve të tjera formale të cilat janë pjesë e korpusit të marrëveshjeve ndërkombëtare, protokolleve dhe rregullave të NATO-s", thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Sqarojnë se paralelisht me bisedimet inkuadruese, Maqedonia duhet të përpunojë program për vazhdimin e reformave.

"Programi duhet të japë kornizë për vazhdimin e reformave të brendshme, për shembull qeverisjen e së drejtës, pavarësinë e gjyqësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në shërbimet e sigurisë dhe zbulim si edhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe implementimin e marrëveshjes me Greqinë", thonë nga Qeveria.

Kushti për anëtarësim i përfshin çështjet lidhur me modernizimin, ristrukturimin, kapacitetet dhe interoperabilitetin e ARM-së me strukturat ushtarake të NATO-s, ndërsa duhet të ketë edhe një pjesë për krijimin e rregullave dhe rregullativës buxhetore që të mundet Maqedonia në tërësi t'i plotësojë obligimet të cilat dalin prej anëtarësimit në NATO, si dhe reformat përkatëse dhe përshtatjet e standardeve të sigurisë të Aleancës.

Nga Qeveria informojnë se në janar të vitit 2019 do të nënshkruhet protokolli për anëtarësim në NATO dhe shteti ynë do të fillojë të marrë pjesë në strukturat e NATO-s - por pa të drejtë vote. Pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim fillon ratifikimi me të gjitha 29 parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s, në pajtim me procedurat e tyre vendore. Ratifikimi zgjat rreth një vit, me çka do të bëhemi anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Kjo është procedura e njëjtë standarde për anëtarësim në NATO të cilën e kanë kaluar të gjitha vendet anëtare deri më tani.

"Me marrëveshjen e Maqedonisë me Greqinë i ngjitemi shkallës më të rëndësishme për anëtarësim në NATO, në janar të vitit 2019 do të nënshkruhet protokolli për anëtarësim në Aleancë. Me atë do të realizohet qëllimi ynë strategjik. NATO është garancia më e fuqishme për stabilitetin tonë, sigurinë, mosndryshimin e kufijve dhe ruajtjen e integritetit territorial. Anëtarësimi në NATO njëherësh është parakusht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, investimet e huaja dhe prosperitetin", thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Në samitin e NATO-s të mbajtur më 12 korrik 2018 në Bruksel, Republikës së Maqedonisë i është dërguar ftesë për anëtarësim në NATO. Nga gjysma e dytë e vitit 2018 fillojnë bisedimet inkuadruese midis Republikës së Maqedonisë dhe NATO-s, procedura e rregullt e cila u zbatua për të gjitha vendet anëtare.

© ZHURNAL 21.08.2018, 17:49 | B.M. | 548 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."