Osmani nuk e ka ftuar Presidentin Ivanov në shënimin e 13 vjetorit të MO-së
maqedonia
Osmani nuk e ka ftuar Presidentin Ivanov në shënimin e 13 vjetorit të MO-së

Osmani nuk e ka ftuar Presidentin Ivanov në shënimin e 13 vjetorit të MO-së

Shkup, 10 gusht - Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, nuk është i ftuar në shënimin e 17 vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit që do të mbahet të hënën më 13 gusht. Burime qeveritare për Gazetën Lajm thonë se Ivanov nuk është i ftuar as në panelin tematik kushtuar kësaj marrëveshje, e as në pritjen solemne që do të organizohet pas panelit. Mosftesa e Ivanovit është për shkak se sjelljet e tij si president nuk kanë qenë “në frymën e Marrëveshjes së Ohrit”.

Ndryshe, nga qeveria paralajmërojnë se Përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit sivjet do të shënohet pak më ndryshe nga vitet tjera. Kjo datë edhe formalisht sivjet do të festohet si datë që ofron Maqedoninë me Bashkimin Evropian. Edhe motoja e organizimeve që bëhen sivjet është në këtë frymë, respektivisht “Rruga drejt Brukselit përmes Ohrit”. Qeveria ka miratuar një program të veçantë për shënimin e 13 gushtit nën patro, që parasheh një panel me moton e lartpërmendur në Klubin e Deputetëve, si dhe pritje solemne.

“Sivjet shënimi i kësaj date do të jetë me karakter tematik. Duke marrë parasysh se Maqedonia hapëron drejt BE-së dhe NATO-s, si dhe duke pasur parasysh përfitimet nga Marrëveshja e Ohrit në këtë rrugëtim, 13 Gushti sivjet organizohet nën përkujdesjen e Sektorit për Çështje Evropiane”, deklaroi për Gazetën Lajm zëdhënësi i Qeverisë, Muahmet Hoxha.

Janë ftuar mysafirë të shumtë, duke përfshirë përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe NATO-s në fillim të këtij shekulli, Havier Solana dhe Xhorxh Robertson, pastaj lehtësuesit e negociatave për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, Xhejms Perdju, Fransoa Leotar, Alan Le Roa, Piter Fejt, e kështu me radhë. Të ftuar janë edhe kreu shtetëror e politik në Maqedoni, përfaqësues të grupeve parlamentare, Ministra, zv/ministra, drejtor, sektorit joqeveritar, analistë, ekspertë e profesorë universitarë.

© ZHURNAL 10.08.2018, 12:00 | Xh.I. | 1,629 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."