ANALIZË Procesi i “skriningut”, beteja e madhe për një Maqedoni evropiane
maqedonia
Analizë Procesi i “skriningut”, beteja e madhe për një Maqedoni evropiane

Analizë Procesi i “skriningut”, beteja e madhe për një Maqedoni evropiane

Shkup, 18 korrik - Procesi i negociatave, përmban bisedime për 35 kapituj dhe nëse shohim Kroacinë, vendin e fundit që i është bashkuar Bashkimit Europian, negociatat kanë zgjatur për 6 vite.  Maqedonia do të duhet të ketë një ekip negociatorësh kryesorë, që tashmë duhet të ishin identifikuar. Menjëherë pas hapjes së negociatave  fillon procesi analitik që quhet screening, vlerësimi i shkallës së harmonizimt të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Europian, shkruan Zhurnal.

Ky vlerësim mund të zgjasë deri në 1 vit dhe bëhet për çdo kapitull veçmas. Pas përfundimit të këtij vlerësimi, Këshilli i Bashkimit Europian merr vendimin për hapjen e negociatave për kapituj të veçantë. Pas marrjes së vendimit për hapjen e bisedimeve sipas kapitujve, vendi kandidat përgatit qëndrim negociues për kapitujt e caktuar, të cilin e dorëzon në Bruksel.

Muhamer Pajaziti, juristi i së drejtës evropiane në një prononcim për Zhurnal thotë se Komisioni Evropian, në mënyrë të detajuar e analizon qëndrimin e marr lidhur me bisedimet dhe më pas pregadit draftin/planin e tij të bisedimeve, të cilin ua dorrëzon vendeve kandidat në Bruksel. Më pas vendet anëtare, vendosin për qëndrim të përbashkët të Bashkimit Evropian, të cilin ia dorëzojnë .vendit kandidat, me ç’rast më pas fillojnë bisedimet.

"Një planifikim i këtillë i metodologjisë së bisedimeve, provon që vendi kandidat në fakt negocion me të gjitha vendet anëtarë, ndërsa Komisioni Europian paraqitet në funksion të ndërmjetësuesit që përfaqëson vendin kandidat, në masën deri në të cilën këtë e lejon e Drejta e Unionit Europian si dhe lojaliteti i institucioneve në Unionit në fjalë. Qëndrimet negociuese, paraqesin dokumete zyrtare të cilat regjistrohen dhe prezervohen në Sekretariatin e MVK-së. Ato flasin për përputhshmërinë me ligjvënien/legjislativën nacionale me atë të Unionit Evropian, lidhur me kapituj të caktuar të bisedimeve në një moment të caktuar të avancimit të tyre dhe si të tilla në vete përmbajnë obligimin për pajtim apo respektim absolut të datë së hyrjes së vendit kandidat në Union", thekson për Zhurnal, Muhamer Pajaziti, jurist i së drejtës evropian.

Sipas tij, në rast se nuk është e mundur të arrihet pajtim lidhur me një kapitull të caktuar deri në afatin e caktuar për hyrje ne Union, atëherë kërkohen periudha lehtësuese ose në raste te caktuara bëhen edhe përjashtime apo sic njihet ne terminologjinë e UE, derogacione apo ndalim të bisedimeve. 

"Periudhat kalimtare ( lehtësuese) në fakt paraqesin leje që i jepet vendit kandidat që ky të respektoje dhe praktikojë një akt të caktuar të UE-së, në territorin e tij, edhe atë pas një numri të caktuar vitesh të hyrjes në Union. Ky mekanizëm, zakonisht lejohet për sektorë të caktuar, në numër të caktuar dhe në kohë të caktuar. Sa për ilustrim, i njëjti nuk është i realizuaeshëm rrethana të funksionimit të tregut të brendshëm", nënvizon Pajaziti.

Ç’kyçjet apo ndërprerja e bisedimeve, shton mëtej ai, me leje me afat të pacaktuar apo të caktuar, lëshuar vendit anëtar apo vendit kandidat nga ana e Unioni Europian, bëhen me qëllim të përdorimit apo respektimit të akteve të caktuar të Unionit, ashtu që të mundësohet respektimi sa më efikas i tyre nga të gjithë shtetet e involvuar në proces. 

"Sa u përket ndërprerjeve apo derogacioneve afatgjate, në këtë drejtim Unioni në historinë e tij të funksionimit nuk njeh përdorimin e tyre, duke e shenduar këtë opsion praktikisht si të mbyllur për zgjerimet e Unionit që pasojnë. Ndalimet e përkohshme të bisedimeve, janë të mundshme, por në praktikën e punimeve të Unionit, përdorimi i tyre disi është shenduar në joefektiv dhe i pamundshëm për t’u realizuar. Ndalimet e përkohshme sipas rezultateve që arrihen paraqesin mjete me efekt të njëjtë si ai i të ashtuquajturave periudha kohore kalimtare për lehtësimin e bisedimeve", nënvizon Pajaziti.

Ai potencon se bisedimet lidhur me një kapitull të caktuar, duhet të përfundojnë në kohë dhe të rezultojnë me hartimin e një pozicioni të përbashkët vendeve anëtare. 

"Marrëveshjet e arritura për kapituj të caktuar nuk mund të merren si përfundimtare deri në momentin kur të arrihet marrëveshje e plotë lidhur me të gjithë kapitujt që në fakt realizohet në bazë të parimit:” asgjë nuk është përfunduar përderisa gjithçka nuk ka mbaruar”. Në praktikë kjo nënkupton që mund të ndodh që të ketë rihapje të ndonjë kapitulli të caktuar, nëse i njëjti nuk është përmbyllur ashtu siç është parashikuar paraprakisht. Ekzistojnë raste kur Komisioni ( sipas kërkesës së tij apo të kërkesës së 1/3 të vendeve anëtare ) të kërkojë suspendim të bisedimeve në raste kur nuk janë plotësuar obligimet dhe detyrat e parashtruara të procesit të negociatave. ( Për Republikën e Maqedonisë, këto janë obligimet që dalin nga Partneriteti Evropian dhe ai i SSA-së)", shton Pajaziti.

JUristi i së drejtës evropian sqaron se pas përmbylljes së bisedimeve, nënshkruhet dokumenti i Marrëveshjes për hyrje ne Union, i cili si i tillë është subjekt diskutimi dhe pajtimi nga Parlamentit Evropian, që më vonë të dërgohet për ratifikim nga ana e vendeve anëtare dhe vendit kandidat, që në fakt si proces zhvillohet në përputhshmëri me rregulloret dhe ligjet e Kushtetutës së vendeve të involvuara.

© ZHURNAL 18.07.2018, 12:00 | D.J. | 994 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."