“Copë copë” shpalos rrëfimet e dhunës në skenën e kryeqytetit serb
kulture
“Copë copë” shpalos rrëfimet e dhunës në skenën e kryeqytetit serb

“Copë copë” shpalos rrëfimet e dhunës në skenën e kryeqytetit serb

E ulur mbi një çantë të madhe, Daniela Markaj pret që të vijë koha e duhur për t'ia nisur performancës.

 

Nën një pemë të Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd, ajo nis lëvizjet. Shpejt merret vesh se nganjëherë është e lumtur. Por më shpesh vuajtja e saj reflekton fort.

 

Pas disa minutave ajo ka ecur drejt sallës ku është dhënë shfaqja “Copë Copë” me regji të Zana Hoxha - Krasniqit të premten mbrëma në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, shkruan sot “Koha Ditore”. Markaj ka qëndruar prapa publikut në karriget e fundit, përderisa në tavolinën e rrumbullakët janë mbledhur Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

 

Shfaqja me tekst të Blerta Zeqirit në një lloj debati televiziv shpalos rrëfimet e dhunës. Dikush tregon për të rrahurat që i ka bërë burri, tjetra për detyrimin që i bën vajzës për t'u martuar. Aborti e përdhunimi i të rejave po ashtu janë pjesë e kësaj shfaqjeje që premierën në Prishtinë e kishte dhënë më 2015. Rrëfimet dhe loja para shikuesve shpalosin histori radikale të dhunës gjinore. Madje edhe moderatorja e emisionit (Anisa Ismajli) tregon se kishte përjetuar dhunën si e re.

 

Regjisorja Zana Krasniqi - Hoxha ka thënë se “Copë copë” paraqet fatet e ndryshme të grave në Kosovë, të cilat me rrëfimet e tyre universale të mbijetesës nga dhuna, komunikojnë përtej gjuhës së folur duke e bërë publikun për vete edhe emocionalisht.

 

“Është një vepër e cila evoluon, por performohet çdoherë me të njëjtin intensitet sikurse para tre vjetëve kur është prezantuar fillimisht”, ka thënë ajo, duke shtuar se është ndier shumë mirë pas prezantimit në Beograd pas komenteve që ka marrë nga artistet e njohura e aktivistet që vlerësonin lart punën e të gjithë ekipit.

 

Përderisa në ambientet e Qendrës për Dekontaminim Kulturor shfaqja zbërthente përjetime të tmerrshme dhune, jashtë dhjetëra policë kujdeseshin që të mos rrezikohen artistët kosovarë pas protestës që ishte bërë në hapje të festivalit, të mërkurën.

 

“Copë copë” nga publiku është komentuar si një shfaqje që nuk i takon vetëm shoqërisë kosovare, por asaj ballkanase e universale. Debatet për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës, bashkë me koncertin e ansamblit “Zanat” e shfaqjen “Copë copë” kanë shërbyer si mundësi njohje midis dy popujve e po ashtu si hapësirë debati midis të rinjve të dy popujve... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

© ZHURNAL 04.06.2018, 10:36 | Z.H. | 979 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."