TAKIM PARLAMENTAR VJETOR Ballkani Perëndimor gjithnjë e më pak i ngjan fuçisë së barutit
maqedonia
Takim parlamentar vjetor Ballkani Perëndimor gjithnjë e më pak i ngjan fuçisë së barutit

Takim parlamentar vjetor Ballkani Perëndimor gjithnjë e më pak i ngjan fuçisë së barutit

Shkup, 25 qershor - Stabiliteti rajonal dhe paqja janë lartë në prioritetet e Qeverisë dhe mu për këtë në mënyrë aktive punojmë në bashkëpunimin e sigurisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi sfidat e reja të sigurisë zakonisht i tejkalojnë kapacitetet e një shteti. Rezultat i politikës së tillë qeveritare janë marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë.

Këtë e theksoi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në hapjen e Takimit vjetor të përfaqësuesve të komisioneve të Mbrojtjes dhe të Sigurisë të Parlamenteve të vendeve të EJL-së, nikoqir i së cilit është Komisioni për mbrojtje dhe siguri në kuadër të Kuvendit të Maqedonisë në bashkëpunim me Qendrën për bashkëpunim të sigurisë - RAKVIAK.

"Pas shumë vitesh ngecje dhe probleme Maqedonia dhe Greqia arritën të gjejnë zgjidhje për problemin tredekadësh. Kjo marrëveshje historike erdhi pas një viti jo të plotë pas Marrëveshjes me Bullgarinë. Këto dy marrëveshje treguan se në Maqedoni gjendjet po ndryshojnë në rrënjë, por ato do të jenë të kota nëse institucionet e Maqedonisë nuk tregojnë vullnet politik dhe rezultate edhe në pjesën e reformave vendore", tha Shekerinska.

Sipas saj, nuk ka siguri pa media të lira, pa zgjedhje të lira dhe demokratike, pa kontroll të vërtetë, veçanërisht ndaj sistemit për zbulim, pa ushtri moderne e përshtatur në sfidat moderne.

"Ajo që do të ndodh në dy javët e ardhshme do të ketë pasoja të gjera dhe afatgjate, presim të jenë pozitive për nga siguria dhe klima politike në Maqedoni. Marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në, marrja e ftesës për anëtarësim në NATO do të jenë një motiv më shumë të vazhdojmë me këto prioritete të përforcuara reformuese për të cilat jemi të bindur se do ta marrim edhe mbështetjen e Kuvendit", tha ministrja e Mbrojtjes.

Ajo theksoi se Republika e Maqedonisë në vazhdimësi investon dhe kontribuon në ruajtjen dhe përforcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes intensive dhe të vazhdueshme në operacionet ndërkombëtare e kryesuar nga KB, NATO dhe BE.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi midis tjerash u përqendrua në marrëveshjet me Greqinë dhe Bullagrinë me të cilat janë tejkaluar antagonizmat e hapura që i mbingarkonin marrëdhëniet bilaterale, ndërsa të cilat ndikojnë edhe ndaj rajonit. Sipas tij, Republika e Maqedonisë me këto marrëveshje jo vetëm se i ka rregulluar marrëdhëniet bilaterale me fqinjët, jo vetëm se e ka zhbllokuar rrugën e saj drejt organizatave euroatlantike, por jep edhe kontribut historik në stabilitetin, paqen dhe perspektivën euroatlantike.

"Ballkani Perëndimor gjithnjë e më pak i ngjan një fuçie barruti dhe mendoj se të gjithë së bashku, i japim perspektivë shumë të qartë evropiane. Si erdhi deri tek e gjithë kjo? Fillimisht është vullneti politik i liderëve aktual politik dhe qeverive aktuale këto probleme dhe antagonizma të zgjidhen. Deti tek zgjidhja erdhi vetëm përmes dialogut dhe transparencës për argumentet edhe të njërës anë edhe të anës tjetër. Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë kaloi në Parlament. Unë pres se edhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, duke e përfshirë edhe presidentin e shtetit do ta respektojnë Kushtetutën dhe demokracinë parlamentare. Ndërsa nëse kjo Marrëveshje do të zbatohet ose jo megjithatë në fund do të vendosin qytetarët në referendum, ndërsa ne si politikanë përgjegjës këtë vullnet do të mund ta respektojmë", tha Xhaferi.

Drejtori i Qendrës për bashkëpunim ndërkombëtar - RAKVIAK, Hajdar Berk tha se kjo qendër që nga viti 2013 punon në promovimin e mbikëqyrjes parlamentare mbi mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm, zhvillimin dhe këmbimin e përvojave midis komisioneve për mbrojtje dhe siguri të parlamenteve të EJL-së. Detyrë kryesore e Qendrës është, siç thotë, t'i përgatisë vendet për anëtarësim në struktura transatlantike dhe shfaqi mbështetje të fuqishme për integrimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO.

Konferencën e hapi kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri në Kuvendin e Maqedonisë, Hari Lokvenec i cili theksoi se forumi nodh disa ditë pas ratifikimit të Marrëveshjes me Greqinë dhe disa ditë para marrjes së pritshme të ftesës për anëtarësim në NATO dhe datës për fillimin e negociatave me BE-në. 

© ZHURNAL 25.06.2018, 14:20 | D.J. | 1,219 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."