Ish-ambasadori grek, Mallias: Faktori shqiptar nxiti marrëveshjen e Prespës
maqedonia
Ish-ambasadori grek, Mallias: Faktori shqiptar nxiti marrëveshjen e Prespës

Ish-ambasadori grek, Mallias: Faktori shqiptar nxiti marrëveshjen e Prespës

Shkup, 21 qershor - Ish-ambasadori grek në Shqipëri dhe në Maqedoni, Alexandros Mallias, vlerëson se faktori shqiptar në Maqedoni është shumë i rëndësishëm dhe ishte pikërisht ai që shtyu qeverinë Zaev drejt kërkimit të një zgjidhjeje dhe marrëveshjeje me Greqinë. Në një intervistë për “TemA TV”, Mallias shprehet se Greqia dhe Shqipëria janë në një fazë të pjekur të bisedimeve mes tyre, por zgjedhjet që duhen bërë janë kompromise të vështira.

“Ekzistojnë zgjidhje të vështira kompromisi dhe ky kompromis duhet përkrahur. Unë besoj dhe veproj, nxis promovimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, ashtu dhe me Kosovën. Greqia për 25 vjet ka marrëdhënie të ngushta me partitë shqiptare të ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë, dhe së shpejti shpresoj Maqedonisë Veriore. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Greqisë, shqiptarëve dhe grekëve, është një faktor vendimtar”, deklaroi Alexandros Mallias, ish-ambasadori grek në Tiranë.

Mallias flet edhe për njohjen e Kosovës nga shteti grek. Sipas tij, marrëdhëniet e Greqisë me Kosovën janë të mira dhe janë kryesisht komerciale e financiare, por sipas tij kjo nuk është e mjaftueshme.

“Marrëdhëniet tona me Kosovën janë të mira, ato tregtare, financiare në apsketin e lëvizjes së shtetasve, por për mua kjo nuk mjafton. Unë jam sinqerisht pro njohjes së Kosovës, dhe kjo të jetë rezultat jo i një deklarate të ministrisë, por i një pakti dypalësh. Besoj në atë që thoshte Gandi i Ballkanit, udhëheqësi i Kosovës, Ibrahim Rugova, se Kosovën dhe Greqinë nuk i ndan as etnia, as historia dhe as gjeografia. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi zakonisht problemet mes vendeve i kanë rrënjët te historia dhe gjeografia”, tha Mallias për “TemA Tv”.

Mallias shpjegoi se marrëveshja e Prespës ishte një marrëveshje e vështirë për të dyja vendet dhe që ka krijuar shumë tension në Maqedoni. Ai rithekson se pas kësaj marrëveshje ka shumë tension në të dy vendet, por që duhet parë konkretisht se si mund të rregullohet  situata dhe më pas të fillojnë bisedimet për Kosovën.

© ZHURNAL 21.06.2018, 23:02 | T.E. | 4,644 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."