Kampet e emigrantëve në Ballkan, Austria kërkon mbështetjen e Italisë
maqedonia
Kampet e emigrantëve në Ballkan, Austria kërkon mbështetjen e Italisë

Kampet e emigrantëve në Ballkan, Austria kërkon mbështetjen e Italisë

Vjenë, 21 qershor - Ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini, i bëri thirrje Bashkimit Europian të mbrojë kufijtë e tij nga emigrantët e mbërritur nga Afrika, e la të kuptohej se nëse blloku nuk e ndihmon Italinë me krizën e azilkërkuesve, atëherë Roma është gati të rinegociojë angazhimet financiare me të.

Salvini u takua sot me zëvendëskancelari austriak Heinz-Christian Strache për të diskutuar idenë austriake që parashikon sjelljen në vendet ballkanike të 600 mijë refugjatëve dhe emigrantëve të dyndur gjatë tre viteve të fundit në Europë për të kërkuar azil. Mbështetje ka edhe nga Danimarka e Holanda.

Në këmbim, vendeve të Ballkanit u jepet mbështetje e veçantë për proceset integruese europiane. Salvini nuk është kundër idesë së kampeve. Por kërkon ato të ndërtohen në Afrikën e Veriut, për të penguar emigrantët që në burim.

“Qëllimi është të mbrohet kufiri i jashtëm, jo ta ndajmë problemin mes vendeve europiane, por ta zgjidhim atë që në burim”, tha Salvini. “Nëse dikush në BE mendon se Italia duhet të vazhdojë të jetë vend zbarkimi dhe kampesh refugjatësh, e ka kuptuar gabim”, vazhdoi ai.

Zëvendëskryeministri italian tha se do t’i kërkonte blidnimin e kufijve europianë për emigrantët, duke marrë shembullin e disa vendeve ballkanike. Për këtë kërkon ndryshim të rregullave të Shengenit.

Me këtë platformë, populistët e qeverive të Austrisë e Italisë kërkojnë të paraqiten në samitin e fund muajit në Bruksel. Por projekti mund të hasë në kundërshtimin e dyshes Merkel-Makron. E duke pasur parasysh këtë, Salvini paralajmëron braktisjen e samitit të 28 Qershorit në Bruksel.

© ZHURNAL 21.06.2018, 21:53 | T.E. | 1,247 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."