INTERVISTË Rexhepi: Bashkëjetesa është mënyrë e të jetuarit, jo kurtoazi
maqedonia
Intervistë Rexhepi: Bashkëjetesa është mënyrë e të jetuarit, jo kurtoazi

Intervistë Rexhepi: Bashkëjetesa është mënyrë e të jetuarit, jo kurtoazi

Shkup, 21 qershor - Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Reisul Ulema H.Sulejman Ef.Rexhepi në një intervistë për "Nova Makedonija", ka folur për bashkëjetesën si mënyrë më e mirë e të jetuarit. Ai  thotë se bashkëjetesën e kupton si mënyrë të jetesës , jo si kurtoazi të thjeshtë.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë:


Në vigjilje të festës së madhe të muslimanëve, Fitër Bajramit, cila është porosia të cilën Ju si njeriu i parë i BFI do ua  kishit drejtuar qytetarëve?

-  Muaji i Shenjtë i Ramazanit është muaj që në tërësi i kushtohet  Allahut xh.sh. dhe në të cilin të gjithë muslimanët përpiqen sa më sinqerisht dhe me përkushtim të plotësojnë obligimet e veta. Ramazani është i përmbushur me besim e me dashuri, miqësi dhe humanitet, paqe,tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë, pra është i përmbushur me atë që Krijuesi ynë e kërkon nga ne. Rrjedhimisht, Fitër Bajrami si festë e shpirtit dhe kulminacion i agjërimit, vetvetiu nënkupton shprehje të dashurisë ndaj të afërmve, ndaj të varfërve, ndaj të sëmurve , ndaj bonjakëve dhe fëmijëve të braktisur.
Kuptohet, tërë atë dashuri dhe mirëkuptim , atë tolerancë dhe humanitet, ne muslimanët duhet ta kultivojmë edhe për fqinjtë dhe bashkëqytetarët tanë që i takojnë ndonjë besimi tjetër dhe që janë të ndonjë përkatësie tjetër kombëtare. Pra, porosia ime është ajo që buron nga urdhërat e Allahut Fuqiplotë, Krijuesit dhe Sundimtarit të botërave. Të respektojmë njëri tjetrin sinqerisht, t’ju ofrojmë shembuj të rinjëve, të bëjmë atë që do ndikojë pozitivisht në ardhmërinë e këtij vendi të cilin të gjithë duhet t’a ndiejmë si vend tonin. Të elimnojmë nebulozat dhe fantazmat e të shkuarës, t’i ofrojmë mundësinë këtij vendi që të përparojë sepse njerëzit e këtushëm e meritojnë një gjë të këtillë.  Urejtja dhe mostoleranca prodhojnë edhe më shumë urejtje dhe mostolerancë në të cilat nuk ka asgjë fisnike, fisnikëri rrezatojnë dashuria, fjala dhe vepra e mirë,humaniteti,mirësia.Ja, kjo do ishte porosia të cilën kisha dashur t’a përcjellë deri te të gjithë njerëzit që kanë qëllime të mira.

Sa përpiqet BFI të kultivojë bashkëjetesën mes qytetarëve, në veçanti gjatë festave të këtilla të mëdha ?

 Shihni, unë bashkëjetesën e kuptoj si mënyrë të jetesës , jo si kurtoazi të thjeshtë. Të thyesh një ve të Pashkëve ose të hashë një copë bakllavë Bajrami, është diçka shumë e rëndomtë dhe e thjeshtë. Veza dhe bakllavaja si deserte nuk kanë kushedi  çfarë vlerash . Por, vlera e tyre simbolike gjatë festave fetare  është shumë e madhe dhe të shpie vetvetiu të mendosh rreth vlerave të jetës që e dhuron Allahu, e ajo jetë pa dyshim se duhet përmbushur me besim dhe duhet të ketë dimensionin e vetë shpirtëror, duhet të përmbushet me miqësi dhe respekt, me humanitet.
Unë tërë jetën përpiqem të jetoj në atë mënyrë dhe këtë gjë përpiqem t’ua përcjellë edhe bashkëpunëtorëve  dhe të punësuarve në BFI,të gjithë besimtarëve muslimanë. Bashkëjetesa  e sinqertë si një qëndrim i përgjithshëm, si një mënyrë gjithëpërfshirëse e funksionimit të një shoqërie, në këtë rast të shoqërisë tonë, është bashkëjetesë e vërtetë të cilës do i gëzoheshin edhe Krijuesi ynë, edhe njerëzit si zëvendësues të Tijë në Tokë.
Ndryshe, po, BFI përpiqet të kultivojë bashkëjhetesën, qoftë gjatë festave, qoftë pas tyre. Vetë fakti që Islami sipas definicionit  është fe  e të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare e racore, dëshmon se ne muslimanët jemi mësuar të jetojmë me njëri tjetrin, duke komunikuar  me gjuhën e shpirtit dhe të mirësisë. Obligim i yni dhe përpjekje konstante është të jemi tolerantë dhe miqësorë edhe ndaj bashkëqytetarëve tanë jomuslimanë.

Ju ishit një kritikues i madh i pushtetit të kaluar. Si e vlerësoni bashkëpunimin me Qeverinë aktuale?

Njerëzit i kuptojnë dhe i përjetojnë në mënyra të ndryshme qëndrimet tona ndaj gjërave, varësisht nga orientimet e veta dhe unë mendoj se liria e shprehjes së qëndrimit dhe mendimit është një begati e madhe. Kuptohet, keqpqërdorimi i portave të hapura të internetit, derdhja e pa kontrolluar e urejtjes dhe propaganda e zezë, nuk bëjnë pjesë në korpusin e begative që i përmenda. 
Ndryshe, unë nuk kam qenë vetëm kritikues i pushtetit të kaluar, kam qenë kritik edhe ndaj pushteteve paraprake, ndaj të gjitha pushteteve të cilat me veprimin e tyre e kanë dëmtuar Islamin, e kanë diskriminuar BFI dhe pjesëtarët e sajë. Tekefundit, koha dëshmoi se, konkretisht pushteti për të cilin ju po më pyetni, e meritoi të kritikohet sepse ishte shumë i padrejtë. Mos haroni, edhe Zoti i Madhërishëm thotë se është detyrë e të gjithë neve t’i kundërvihemi padrejtësisë. Një gjë të atillë e bëri populli, kurse unë si “kritikues i madh” vetëm e bëra detyrën time fetare, intelektuale dhe morale.
Sa i përket bashkëpunimit me akëcilën Qeveri, më duhet të ritheksoj atë që po e them në vazhdimësi me vite të tëra, pra po ritheksoj se BFI është institucion jopolitik dhe mbipolitik që përkujedeset për organizimin e jetës fetare islame. Ne jemi të obliguar të profilojmë e të prezentojmë pikëpamjet, qëndrimet dhe problemet tona përpara pushtetit politik. Si do veprojë ai pushtet dhe si do sillet ai, nuk varet nga ne.
Në këtë vazhdë, edhe pushteti aktual është qartë dhe në mënyrë të detajuar i njohtuar me problemet tona. Unë kam mirëkuptim të plotë për momentumin politik të cilin po e kalon Maqedonia dhe në tërësi e kuptoj dhe e mbështes Qeverinë e z. Zaev lidhur me prioritetet që i ka. Sinqerisht, jam i befasuar për të mirë me veprimin e guximshëm rreth zgjidhjes përfundimtare të problemit me emrin.Por, të mos harojmë se kjo Qeveri e promovoi vehten si Qeveri reformatore e cila duhet të  realizojë atë që e ka premtuar lidhur me zgjidhjen e problemeve jetësore të qytetarëve. Jemi në pritje të “reformave të brendshme”, dhe një  pjesë e atyre reformave duhet të përfshijnë edhe zgjidhjen e problemeve të BFI. Në të kundërtën, kuptohet, edhe unë, edhe BFI në tërësi do jemi shumë kritikë.

Vazhdimisht po thoni se akoma s’ka përfunduar denacionalizimi i pronave. Deri ku ka ardhur ai proces, cilat janë pronat që po kërkoni t’ia kthejë shteti  Bashkësisë Fetare Islame ?

Denacionalizimi kursesi nuk ka përfunduar dhe është përplotë me paqartësi dhe vendime të padrejta për të cilat, kuptohet, pushteti aktual nuk është përgjegjës. Por, ai është përgjegjës për t’I sqaruar paqartësitë dhe për të drejtuar padrejtësitë të cilat, në pjesët që kanë  lidhjeme BFI, janë flagrante.
Nuk do emërtoj e as nuk do numëroj pronat tona të cilat janë konfiskuar padrejtësisht, por do them se janë shumë dhe se ato janë vakufe, e vakufet sipas rregullave islame nuk guxojnë të tëhuajësohen, ato i janë lënë në trashëgimi BFI nga individë të caktuar që t’ju shërbejë muslimanëve për avancimin e jetës fetare islame, të kulturës, të arsimit të muslimanëve. Mjerisht, ishim dëshmitarë në të shkuarën se denacionalizimi në shumë raste ishte selektiv ndaj bashkësive ekzistuese fetare, por ne po shpresojmë se tani e tutje nuk do jetë i atillë, se do drejtohen padrejtësitë që janë të dhembshme për ne e që  ndikuan shumë që të rriten pakënaqësitë e besimtarëve muslimanë në Maqedoni.

Shpeshëherë dëgjohen kritika se po shkelet shekullariteti. A është e vërtetë kjo gjë ?

E dini, raportet mes shekullarizmit dhe fesë janë shumë të komplikuara edhe në shtete shumë më të zhvilluara perëndimore  në të cilat ai edhe ka lindur. Është e njohur  se një shoqëri e shekullarizuar nuk vetëpërcaktohet përmes fesë, gjë e cila do të thotë se feja dhe shteti  janë të ndarë, por kjo s’do të thotë se shteti e eliminon fenë e as që mund t’a bën një gjë të këtillë. Në atë vazhdë, Maqedonia është shtet demokratik dhe shekullar në të cilin liria e fesë dhe organizimi i bashkësive fetare është garantuar me kushtetutë, andaj ky shtet do të duhej të definohet me terminologjinë e lirisë të të shprehurit, me të drejtat e njeriut, të drejta që natyrisht se kanë të bëjnë edhe me fenë.
Me këtë rast më duhet të them se Islami, teologjikisht, nuk e pranon ndarjen e shtetit nga feja, por ne po jetojmë në Maqedoni  me pjesëtarë të feve të ndryshme në një hapësirë që është shekullare dhe një gjë të këtillë duhet t’a respektojmë. Të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm se vendi në të cilin po jetojmë nuk është ekskluzivisht islam, siç nuk është as ekskluzivisht i krishterë.Dhe, po, në të kaluarën  kanë ndodhur shkelje serioze të principit të shekullaritetit nga ana e pushtetit shtetëror i cili, duke e ëndëruar ëndrën e vetë për një “Maqedoni biblike”, përmes vendosjes së simboleve dhe ngritjes së tempujve krishtere e duke i diskrimuar bashkësitë tjera fetare(para së gjithash Bashkësinë Islame), në fakt arriti vetëm të dëmtojë tolerancën tradicionale ndërfetare. Unë shpresoj se të gjithë ne kemi mësuar leksionet e duhura nga ai lloj i eksperimenteve. Nëse jemi pajtuar të jetojmë në një shtet që quhet shekullar, duhet të pajtohemi  me atë fjalën e urtë që thotë : “Jepi Zotit atë që i takon Zotit dhe mbretit atë që i takon mbretit…”!
Por, keni kujdes, shekullarizmi kursesi nuk do të thotë se bashkësitë fetare duhet të mënjanohen e të margjinalizohen, sepse në atë mënyrë nuk margjinalizohen vetëm bashkësitë fetare si institucione, margjinalizohen edhe besimtarët të cilët janë pjesë përbërëse e shoqërisë.Edhe besimtarët, edhe bashkësitë fetarev të cilave ata ju përkasin I plotësojnë dhe i kryejnë detyrimet e tyre ndaj shtetit, paguajnë taksa dhe kontribute të ndryshme, e besimtarët, mes tjerash, janë edhe votues të cilët vendosin se kush do ua udhëheq shtetin. Nëse shteti në segmente të caktuara i ndihmon në mënyrë të barabartë të gjitha bashkësitë fetare, kjo nuk do të thotë shkelje e shekullaritetit, përkundrazi, do të thotë realizim i të drejtave demokratike në një nivel më të lartë. Shikoni shtetet e rajonit dhe ato të hapësirave të ish Jugosllavisë dhe shihni se në ç mënyrë funksionon aty shekullariteti, aty do të gjeni  shembuj që duhet ndjekur. Në ato vende, t’a zëmë, është krejtë normale nëse institucionet arsimore fetare finansohen nga shteti, nga ato vende do duhej të merr shembull Maqedonia dhe unë shpresoj se ajo edhe do të veprojë ashtu. Përfundimisht, po theksoj se nëse shteti është shekullar, qytetarët e sajë nuk janë shekullarë, andaj ata, po flas për pjesëtarët e Islamit, shumë rëndë i përjetuan padrejtësitë dhe diskriminimin që shteti ia bënte në të kaluarën Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Por, kjo është një temë për një rast tjetër dhe për një diskutim më të gjërë.

Përpara disa vjetësh kërkonit ndihmë nga Qeveria e atëhershme lidhur me ndërhyrjen e rymave të ndryshme të radikalizmit islamik në vend. Sa jeni ballafaquar me strukturat radikale islamike në vend? A është ai tani prezent në mesin e besimtarëve nëpër xhami të ndryshme? 

Nuk ka asgjë të çuditshme dhe jo të rëndomtë aty sepse është detyrë e shtetit dhe e organeve kompetente t’i kundërvihet çdo strukture  radikale, pa marrë parasysh prefiksin fetar. Ato lëvizje janë rrezik jo vetëm për BFI dhe për muslimanët,ata paraqesin rrezik për të gjithë. A kemi arritur të ballafaqohemi e të ngadhnjejme mbi ato struktura, për këtë flasin qartë qëndrimet e besimtarëve tanë të cilët tradicionalisht i takojnë meshebit hanefi i cili është njëri nga katër meshebet në Islam. BFI dhe besimtarët muslimanë i respektojnë të gjitha meshebet, por e ndjekin shkollën hanefite. Po theksoj se asnjëri nga ata meshebe nuk ka asnjë pikëtakim me radikalizmin ose terorizmin, por ka pasur raste kur janë paraqitur disa elemente të radikalizuara që i takojnë ndonjërit nga këto meshebe, por jo meshebit hanefi. 
Falë Zotit, elemente të atilla nuk ka më në xhamitë tona, e sa ju përket disa rasteve individuale që ndoshta veprojnë jashtë BFI që është institucioni i vetëm përgjegjës për kultivimin dhe avancimin e Islamit, ekzistojnë organe kompetente. Ne kemi bërë përpjekje dhe do vazhdojmë të përpiqemi t’i kthejmë në rrugën e drejtë individët të cilët ndoshta janë zhytur në ujërat e radikalizmit. 

Cfarë është raporti i juaj me krerët e bashkësive të tjera fetare në vend ? A takoheni ndonjëherë dhe a burojnë nga ato takime të juaja eventuale çështje konstruktive dhe zgjidhje të problemeve me të cilat ballafaqoheni ?

Kam raporte shumë korekte , bile do kisha thënë edhe miqësore me prijësit e bashkësive tjera fetare, raporte këto që ushëheqen nga principi i njerëzisë dhe humanitetit, tolerancës dhe gadishmërisë për dijalog konstruktiv. Por, raporti im me krerët e bashkësive të tjera fetare, para së gjithash udhëheqet nga bindja se feja është një element shumë i rëndësishëm  në jetën e njeriut dhe se ne , prijësit fetarë,duhet të ndikojmë  që te besimtarët të depërtojnë porositë e vërteta të urdhërave të Zotit. Detyrë e jona dhe e bashkësive fetare të cilat ne i udhëheqim është që të bëjmë kujdes mbi ato porosi të cilat ju interprëtohen besimtarëve, duke mos lejuar që ato porosi e mësime  të devijohen, pra të mos lejojmë të devijohet Fjala e Zotit.
Ne jemi konstruktivë dhe në takimet tona sjellim vendime dhe ndërmarim hapa konkretë për promovimin e paqes dhe të jetës pa dhunë.

Si qëndron situata me rekonstruimin e xhamisë së Ali Pashës në Ohër, a shpresoni të tejkalohen problemet ekzistuese?

Xhamia e Ali Pashës në Ohër është një monument shumë i vjetër dhe shumë i vlefshëm i kulturës Islame, ajo xhami është objekt me të cilin do të krenohej çdo qytet në botë,por ja që në Ohrin tonë ekziston një shoqatë qytetare që po tenton të pengojë  restaurimin e asaj bukurie, të minaresë që përherë ka ekzistuar, pra ka ekzistuar edhe në dukjen origjinale të xhamisë. Është një tmer vetëm të mendosh se  “minareja do e dëmtojë dukjen e qytetit”. Paramendoni nëse do bëhej renovimi i ndonjërës nga  kishat maqedonase dhe nëse një grup qytetarësh do insistonin që kisha të mos ketë kumbanën e vetë. Edhe ajo punë do të ishte e tmershme
Sidoqoftë, Xhamia e Ali Pashës në Ohër do të përfundohet, të jeni të sigurtë, sepse Zoti i do dhe i mbronë shtëpitë e veta. Besoj se konstruktiviteti dhe mendja e shëndoshë do të ngadhnjejnë mbi primitivizmin dhe inatet ballkanike që kanë për qëllim të dëshmojnë superioritet në dëm të tjetërkujt. Fali o Zot, ata s’dijnë se çka po bëjnë.


© ZHURNAL 21.06.2018, 13:19 | Xh.I. | 2,631 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."