BE nga nesër vendos tarifa ndaj importeve amerikane
bota
BE nga nesër vendos tarifa ndaj importeve amerikane

BE nga nesër vendos tarifa ndaj importeve amerikane

Bashkimi Evropian do të vendosë tarifa ndaj importeve amerikane duke nisur nga e premtja si hakmarrje ndaj tarifave të ashpra të vendosura më parë gjatë këtij muaji nga Uashingtoni, ndaj importeve të aluminit dhe çelikut. Vendimi u njoftua të mërkurën nga Komisioni Evropian.

BE-ja ka përpiluar një listë produktesh amerikane ndaj të cilave do të vendosë një tarifë prej 25 për qind, një lëvizje që mund të përshkallëzohet në një luftë të plotë tregtare, veçanërisht nëse Presidenti amerikan Donald Trump vë në jetë kërcënimin për të imponuar tarifa ndaj makinave evropiane.

“Ne nuk dëshirojmë të jemi në këtë pozicion, por vendimi i njëanshëm dhe i pajustifikuar i SHBA-së për të imponuar tarifa ndaj çelikut dhe aluminit evropian nuk na la asnjë zgjidhje”, tha në një deklaratë komisionerja e BE-së për Tregtinë Cecilia Malmstrom.

Sipas zonjës Malmstrom reagimi i BE-së është në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ajo tha se tarifat do të hiqen vetëm në qoftë se SHBA-ja shfuqizon tarifat e saj ndaj metaleve evropiane, që arrijnë në 7.41 miliardë dollarë.

Zoti Trump vendosi një tarifë prej 25 për qind ndaj çelikut dhe 10 për qind ndaj aluminit që importohet nga Evropa, Kanadaja dhe Meksika. Tarifat e reja hynë në fuqi në fillim të qershorit.

Kanadaja tha se do të imponojë tarifa hakmarrëse me vlerë 12.5 miliardë dollarë duke filluar nga 1 korriku.

Dy javë më parë Meksika vendosi tarifa ndaj një sërë produktesh amerikane, përfshirë çelikun, mishin e derrit dhe uiskin.

© ZHURNAL 21.06.2018, 10:07 | Xh.I. | 555 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."