27 vjet zgjatën bisedimet për emrin e Maqedonisë
maqedonia
27 vjet zgjatën bisedimet për emrin e Maqedonisë

27 vjet zgjatën bisedimet për emrin e Maqedonisë

Shkup, 18 qershor - Pas një pauze prej tre vjetësh, në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic rinisi bisedimet me përfaqësuesit nga Shkupi dhe Athina në përpjekje për të tejkaluar zgjidhjen e kontestit lidhur me çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Përmirësim i marrëdhënieve mes dy vendeve filloi pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaev si kryeministër. Pushtetit të ri bashkësia ndërkombëtare i dha  shtytje për përpjekjet e saja për hapjen e vendit drejt BE-së dhe NATO-s.

Mosmarrëveshja për emrin daton që nga viti 1991, kur Shkupi zyrtar shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia. Greqia nuk e pranon emrin si Republika e Maqedonisë sepse konsideron se një emërtim i tillë paraqet tendencë për pretendime territoriale. VMRO-DPMNE gjatë pushtetit të saj në vitin 2006 që udhëhiqej nga Nikolla Gruevski vendosi që aeroportin Petrovec në Shkup ta emërojë Aleksandri i Madh.

Greqia këtë akt e kishte kuptuar si provokim serioz dhe kishte reaguar ashpër. Marrëdhëniet ishin përkeqësuar me ndërtimin e përmendoreve të Shkupit 2014 dhe me përmbajtjet e librave të historisë në të cilat Greqia shihte irrendentizëm.

Pas intensifikimit të negociatave, në prill qeveria, pas takimit të parë Zaev-Cipras në Davos ndryshoi emrin e aeroportit ndërkombëtar “Aleksandri i Madh” në “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupi” si dhe autostradën “Aleksandri i Madh” të Korridorit 10, në “Miqësia”.

Linja e kuqe në Athinë zyrtarisht ishte se duhej të gjendej një emër i përbashkët i pranueshëm për përdorim “erga omnes” që nënkuptonte ndryshime kushtetuese, kjo e fundit ishte pika më e ndjeshme për palën maqedonase.

Opsionet më të mundshme fillimisht ishin Maqedonia e Veriut dhe Maqedonia e Epërme. Në skenë papritur doli edhe opsioni që fillimisht u shpall si i pranueshëm për të dyja palët Republika e Maqedonisë së Ilindenit por u hodh poshtë një ditë më vonë nga Greqia. “Republika e Maqedonisë së Veriut” pajtoi palët, u nënshkrua dhe pritet të zbatohet deri në fund të 2018.

© ZHURNAL 18.06.2018, 09:38 | D.J. | 674 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."