Marrëveshja për emrin, Analistët: Sikundër partitë politike, ashtu edhe media është e ndarë
maqedonia
Marrëveshja për emrin, Analistët: Sikundër partitë politike, ashtu edhe media është e ndarë

Marrëveshja për emrin, Analistët: Sikundër partitë politike, ashtu edhe media është e ndarë

Shkup, 18 qershor -  Marrëveshja e arritur midis Shkupit dhe Athinës zyrtare për çështjen e emrit, me ndihmën dhe ndërmjetësimin e faktorit politiko-ushtarak ndërkombëtarë është cilësuar si një marrëveshje historike e cila do ti sjell "fat" Maqedonisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik, shkruan Zhurnal.

Sipas analistëve dhe politikologëve faktori politik në përgjithësi ka qenë konstruktiv lidhur me arritjen e kësaj marrëveshje, por cili ka qenë roli i medias në këtë rrugëtim 27 vjeçar të Maqedonisë në gjetjen e një zgjidhje për çështjen e ermrit.

Gazetari dhe opinionisti i njohur, Daut Dauti thotë se ashtu si edhe blloku politik në vend edhe media është e nadarë lidhur me çështjen e emrit të ri të shtetit.

"Siç mund të pritej, sikundër partitë politike, ashtu edhe media është e ndarë. Ata që e përkrahnin dikur opozitën kur ishte opozitë LSDM-ja sot e përkrahin  Marrëveshjen dhe e kundërshtojnë  ato media që në kohën e VMRO-së ishin proqeveritare. Megjithatë, mund të vërehet një lloj përmbajtjeje te këto të fundit, nuk deklarohen në mënyrë kategorike kundër, por mundohen që të reflektojnë  një lloj laryshie qëndrimesh. Te këto media problem është në faktin se Marrëveshja i ka hutuar, sepse aspektet identitare janë të favorshme,  prandaj e kanë vështirë të rreshtohen tërësisht me  VMRO-në opozitare", thotë për Zhurnal, Daut Dauti, analist.  

Sipas tij, është ë natyrshme të ketë debat me qëllim që të sqarohet se çka fiton e çka humbë Maqedonia, por unë nuk e shoh atë ndarje të vrazhdë dhe informim propagandues siç ka qenë para më shumë se një viti, por shoh debat më të argumentuar se më parë. 

"Kush ka qenë pro ose kundër dikur, i ka ruajtur pozicionet edhe tash, por jo në nivel të vrazhdë propagandues, për më tepër vërehet një përpjekje për pranim realiteti", nënvizon Dauti.

Ndërsa, gazetari dhe drejtori i agjencis së lajmeve INA, Naser Pajaziti thekson se në përgjithësi mediat në Maqedoni kanë qenë raportuese të asaj se çfarë po ndodhë me zhvillimet që çuan në finalizimin e marrëveshjes për emrin. 

"Në këtë aspekt ka pasur konstruktivtet, me përjashtim të disa portaleve propaganduese, pas të cilave qëndrojnë struktura politike, që vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjen, përmes makinerisë propaganduese dhe titujve senzacional. Sa i përket mediave në Maqedoni më pak ishin afër ekskluziviteteve se çfarë po ndodhte në kuadër të procesit të negociatave, derisa mediat greke i paraprinin çdo zhvillimi të ri, duke pasur parasysh se pikërisht ishte pala greke që në të shumtën e rasteve përcaktonte çdo agjendë", thekson për Zhurnal, Naser Pajaziti, gazetar.

Nga ana tjetër, gazetari Naim Sinani potencon se mediat në vend kanë dhënë kontributin e tyre në përgaditjen e opinionit për marrveshjen me Greqinë rreth emrit. 

"Në këtë drejtim duhet parë informimi i balancuar rreth bisedimeve, por edhe sqarimet dhe analizat se zgjidhja e kontestit me emrin nënkupton hapjen e perspektivës euro-atlantike për vendin. Megjithse nuk mungojnë edhe mediat që janë vënë në shërbim të politikës ditore, duke plasuar tezat e opozitës dhe eksponentëve të sajë se marrveshja paraqet "tradhti" për Maqedoninë dhe maqedonasit", vlerëson për Zhurnal, Naim Sinani, analist.

© ZHURNAL 18.06.2018, 16:00 | D.J. | 2,342 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."