Kuvend, kalon leximi i dytë i ligjit për gjykatat
maqedonia
Kuvend, kalon leximi i dytë i ligjit për gjykatat

Kuvend, kalon leximi i dytë i ligjit për gjykatat

Shkup, 16 prill - Propozim-ndryshimet në Ligjin për Gjykatat dhe Këshillin Gjyqësor, kaluan leximin e dytë në Kuvend. Në Komisionin për sistem politik, njëzëri u pranuan amendamentet që kanë të bëjnë më masat disiplinore ndaj gjykatësve në Ligjin për Gjykata.

"Me këtë amendament parashikohen arsyet për masa disiplinore ndaj gjykatësit nëse nuk i cakton seanca, zvarrit procedurën, gjykon në afat të afat të papërshtatshëm dhe me këtë bën që të vjetrohet përndjekja penale dhe zbatimi i masave penale", tha Panço Minov, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Me ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, mbetet në fuqi vota e kryetarit të Gjykatës Supreme. Zëvendësministri i Drejtësisë, paralajmëron ndryshime plotësuese në të ardhmen.

"Në Ligjin për Këshillin Gjyqësor ndryshimet kishin të bënin më konstatimet tona si dikaster që përveç ministrit të Drejtësisë që nuk duhet të ketë të drejtë vote në Këshill, një të drejt të tillë të mos e ketë as kryetari i Gjykatës Supreme. Por këtu nuk arritëm të pajtohemi me opozitën dhe e kthyem të drejtën e votës për kryetarin e Supremes. Në paketën e tretë të ndryshimeve ligjore që do të jetë në qershor dhe korrik, kur do të vërtetohet mandati i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor a do të jenë profesionist, gjysmë-profesionist ose jo profesionist, përsëri do të shqyrtohet çështja e votës së kryetarit të Supremes”

Dallimet mes opozitës dhe shumicës mbeten në Ligjin për media. Opozita kërkon që të forcohen kriteret për propozimin e anëtarëve të Agjencisë për shërbime audio dhe audi-vizuele. Më këtë opozita pretendon që OJQ-të nga sfera e mediave të mos kenë si kriter thjeshtë përvojën mbi 5 vjeçare me projekte të sferës, pasi që me këtë paraprakisht dihet se kush mund të jetë propozues. Dallimet mbeten edhe në Ligjin për Prokurorinë Publike. Shumica dhe opozita akoma nuk kanë përafruar qëndrimet në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Opozita kërkon që i pari i organit akuzës të zgjidhet me 2/3 e votave, gjë të cilën LSDM-ja e kishte kërkuar sa ishte në opozitë. Sa i përket KSHZ-së, partitë janë marr vesh që fillimisht të kthejnë në fuqi modelin e vjetër të KSHZ-së, që nënkupton se kryetari të vjen me propozim të opozitës dhe pa ekspert në përbërje dhe më pas të miratojnë ndryshimet ligjore të paktën 6 muaj para zgjedhjeve presidenciale, ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor./AlsatM

© ZHURNAL 16.04.2018, 16:23 | Xh.I. | 643 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."