Integrimi, Borisov në Kosovë: Zgjidhni mosmarrëveshjet me Serbinë
kosova
Integrimi, Borisov në Kosovë: Zgjidhni mosmarrëveshjet me Serbinë

Integrimi, Borisov në Kosovë: Zgjidhni mosmarrëveshjet me Serbinë

Prishtinë, 16 prill - Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov tha sot në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë ndërmjet vete. Në një konferencë të përbashkët me presidentin e Kosovës, Borissov deklaroi se këto dy shtete duhet njëherë e mirë që të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet që kanë pasur të kaluarën.

Sipas tij, kur të përfundojë kjo edhe Bashkimi Europian do e shohë Kosovën me një sy tjetër.

“Shpresoj edhe te kolegu im Vuçiç të vazhdojë dialogu me Serbinë. Ne në BE duam që të kemi shtete pa probleme, shtete të cilat elita e tyre politike të mund të vazhdojë jetën pa luftë dhe keni një barrë të rëndë, por me presidentin Thaçi do t’ia dilni. Nuk duhet të kthehemi në të kaluarën që ka qenë një periudhë e tmerrshme”, tha Borissov.

Ndërsa presidenti Hashim Thaçi tha se Bashkimi Europian do të jetë i plotë kur Kosova dhe shtetet e Europës Juglindore të jenë pjesë të NATO-s.

“Diskutuam për rrugën europiane të Kosovës dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Sa i përket politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rrugës së integrimit europian të vendit tonë  jemi të një mendimi që kjo është rruga e vetme si për ne ashtu edhe për BE-në. Pra Kosova të jetë pjesë e NATO-s  dhe BE-së.

Ishte konstatim i dyanshëm  se BE do të jetë e plotë kur Kosova dhe Europa Juglindore të jetë pjesë e saj. Kjo nënkupton paqe, stabilitetit dhe mirëqenie të gjithmbarshme”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës në takimin që ka pasur me kryeministrin bullgar nuk ka lënë pa folur edhe për Samitin e Sofjes që do të mbahet muajin që vjen. Sipas presidentit Thaçi, Samiti i Sofjes është mundësi unike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

 (gazeta-Shqip.com)

© ZHURNAL 16.04.2018, 15:56 | Xh.I. | 869 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."