Thaçi: Do të hyjmë në një fazë të re të dialogut me Serbinë, prandaj jam në SHBA
kosova
Thaçi: Do të hyjmë në një fazë të re të dialogut me Serbinë, prandaj jam në SHBA

Thaçi: Do të hyjmë në një fazë të re të dialogut me Serbinë, prandaj jam në SHBA

Prishtinë, 22 mars - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se aktualisht ndodhet në Uashington me qëllim të koordinimeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ai, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se për fazën e re të bisedimeve, ky koordinim është i domosdoshëm.

“Në kuadër të parapërgatitjeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që do të ndodhë nesër (të premten), jam në Uashington për të bashkë-koordinuar aktivitetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që do të hyjmë në një fazë të re, të rëndësishme dhe i tërë përkushtimi duhet të jetë i koordinuar mirë dhe natyrisht i qartë për sot, por edhe për të ardhmen”.

“Pra, do të jetë një proces që do të hap periudhën e arritjes finale të marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht që kjo çështje është e ndjeshme dhe kërkon koordinim me të gjithë partnerët dhe miqtë, por adresa kryesore për Kosovën mbetet Uashingtoni”, ka thënë Thaçi.

Ai është përgjigjur edhe rreth takimeve që do të ketë në Uashington.

“Unë do të vazhdoj takimet edhe sot me Wess Mitchell (ndihmëssekretarit amerikan i shtetit) me të cilin do të diskutoj për aktualitetin që e kemi sot, por edhe hapat e mëtutjeshëm”.

“Shteti i Kosovës ka nevojë për t’u konsoliduar në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ka nevojë për më shumë njohje, por në të njëjtën kohë, ajo që neve na duhet është fqinjësia e mirë mes Kosovës dhe Serbisë, një raport evropian që do të rezultojë me njohje reciproke, me paqe e stabilitet në rajon. Natyrisht edhe një të ardhme evropiane, që të jemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër tjerash presidenti Thaçi.

© ZHURNAL 22.03.2018, 16:17 | Xh.I. | 1,700 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."