Tokat ndërtimore do të menaxhohet nga komunat
maqedonia
Tokat ndërtimore do të menaxhohet nga komunat

Tokat ndërtimore do të menaxhohet nga komunat

Shkup, 13 mars - Pas marrëveshjes së nënshkruar mes bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale dhe Ministrisë së Transportit, BNJVL fitoi të drejtën për përdorim, menaxhim, drejtim dhe shtim të të dhënave në sistemin elektronik, përmes të cilit kryen të gjitha procedurat për shitblerje ose dhënie me qira të tokës ndërtimore në pronësi të shtetit.
 
“Përmes këtij sistemi, udhëhiqen të gjitha procedurat për tjetërsim, dhënie me qira në afat të shkurtër apo të gjatë, dhënie për përdorim të përhershëm, dhënie të së drejtës së pronësisë dhe të drejtën për shfrytëzim të tokës në pronësi shtetërore”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.
 
“Prioritet i BNJVL-së është që të gjitha komunat të përmbushin kushtet për menaxhim me tokën ndërtimore, ku nuk ka ndërtime aktualisht dhe vetë të kryejnë procedurat e kërkuara në këtë sistem. Është një ndër parakushtet kryesore e një ndër përfitimet më të mëdha nga Ligji për decentralizim”,- theksoi kryetari i BNJVL-së, Petre Shilegov.
 
Kryeministri Zaev thotë se, për një zhvillim të barabartë rajonal, komunat do të kenë edhe më shumë mjete në dispozicion, me këtë do të kenë mundësi të marrin edhe më shumë kompetenca. Kjo, sipas tij, do jetë edhe inkurajim për të gjithë investuesit, se procedurat që duhet të kryejnë, hapat e parë drejt ndërtimeve të ardhshme do të zgjidhen në nivel lokal, në asistencë të drejtpërdrejtë të BNJVL-së.
 
“Kjo do të thotë se në të ardhmen, sapo kapacitetet komunale të jenë gati, shpresoj që kjo të ndodhë deri në fund të 2018-s, do të marrin mbi vete edhe mundësitë e ndërtimit të investimeve kapitale, siç janë shkollat fillore e të mesme që tani ndërtohen nga MASh-i, edhe ndërtimin e  çerdheve të fëmijëve dhe  shtëpive të shëndetit, por edhe të shtëpive të kulturës, përveç atyre që janë në interes nacional”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sistemi aktualisht përdoret nga 46 komuna të cilat i kanë përmbushur kushtet ligjore dhe kanë marrë të drejtën të menaxhojnë tokën ndërtimore në pronësi shtetërore. Komunat e tjera, deri në përmbushjen e kushteve, procedurat do t’i kryejnë përmes Ministrisë së Transportit.

© ZHURNAL 13.03.2018, 16:29 | D.J. | 3,355 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."