Vlora Merovci tregon për jetën pas përfundimit të serialit “Familja Moderne”
showbiz
Vlora Merovci tregon për jetën pas përfundimit të serialit “Familja Moderne”

Vlora Merovci tregon për jetën pas përfundimit të serialit “Familja Moderne”

Vlora Merovci mbetet në mendjen e shumëkujt në Kosovë si Alma e ‘Familjes Moderne’, serialit vendor që edhe pse kanë kaluar disa vite vite prej kur është ndërprerë transmetimi i tij, shikuesit kanë ende të freskët lojën e aktorëve aty.

E këta aktorë sigurisht se sot kanë obligime tjera qoftë brenda profesionit të tyre e qoftë jashtë punës si artistë.

Vlora Merovci është një nënë e përkushtuar e Eas dhe Dionit dhe thotë së kohën me ta nuk e ndërron me asgjë në botë.

 

Martesa me vokalistin e rock grupit Troja, Bujar Berisha, për Vlorën duket të jetë zgjedhja më e mirë.

‘Artisti jeton më së miri me artistin’, thotë Vlora duke folur për Gazeta Blic.

Ajo pos jetës artistike, flet për shqetësimet që ka në lidhje me telashet e shoqërisë kosovare, e që realiteti i tanishëm kosovar e bën atë të ndihet e përbuzur.

GazetaBlic: Ndonëse ka nje kohë që shfaqeni rrallë në media, publiku ju mban mend si “Alma” e “Familjes Moderne”. Cilat janë angazhimet tuaja tani, si është përditshmëria juaj?

Vlora Merovci: Është e natyrshme që kur je e angazhur në një serial apo çkado nëpër televizione të bie të shfaqesh shumë para një audience të caktuar. Çdo punë tjetër që punohet jashtë televizioneve mbesin pak më të heshtura. Përditshmëria ime ndryshon varësisht prej angazhimeve që i kam, pra dhe nuk i kam të gjitha ditët e njëjta. Gjatë kësaj jave jam e angazhur nga kompania “ Nestle” rreth një fushate ku do të mblidhen fonde për blerjen e pajisjeve me të cilat planifikohet të bëhet dixhitalizimi i librave në Biblotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Aktivitetet e fushatës Nescafe “Start Smart”” kryesisht po i mbajmë në Biblotekën Kombëtare , kështu që një pjesë të ditës po e mbuloj me këtë angazhim dhe e gjitha pjesa tjetër e dites është për obligimet, kërkesat dhe dëshirat familjare të cilat nuk i ndërroj me asgjë në këtë botë.

GazetaBlic: Kanë kaluar disa vite prej kur nuk transmetohet më seriali “Familja Moderne”. Por, si janë raportet me aktorët tjerë nga seriali, me cilin prej tyre takoheni më shpesh ose jeni më e afërt?

Vlora Merovci: Meqë i kemi kaluar 10 vite së bashku duke u takuar çdo ditë, e kemi një lloj afërsie, kështu që edhe nese nuk shihemi gjatë, përsëri raporetet nuk na ftohen, kurdo që shihemi muhabeti na vazhdon po aty ku e kemi lënë. Kuptohet që me dikë të bie të takohesh më shpesh, e me dikënd më rrallë.

GazetaBlic: Si është të jesh artiste dhe të kesh partnerin artist?

Vlora Merovci: Nuk ka më mirë se të jesh artist, por në një vend shumë të zhvilluar ekonomikisht. Unë mendoj që artisti më së miri jeton me artistin.

GazetaBlic: Janë bërë 10 vite prej se jemi bërë shtet, si qytetare çfarë keni parë progress dhe çfarë do të donit të ndryshonit dekadën e ardhshme?

Vlora Merovci: Gjatë këtyre 10 viteve padyshim që kemi pa progres, por kuptohet që ka edhe shumë punë, mund të kemi edhe humbje e dështime ndonjëherë, por këto duhet t’i përdorim për të na treguar rrugën, e jo të mësohemi e të jetojmë me to. Vitet e ardhshme nuk dua që Kosovën të gjej me neve- qytetarëve duke pritur para dyerve të ambasadave me 40 dokumente në duar, për t’i lutur që të na lejojnë të hyjmë në shtetin e tyre duke u munduar t’i bindim se jemi njerëz të mirë, nuk jemi terrorist, nuk jemi kriminel dhe e meritojmë të hyjmë në shtetin e juaj. Ata të mendohen me muaj duke të gjykuar ty se a je bindëse apo jo, dhe a je person i denjë për të hyrë në shtetin e tyre. Mua për vehten time asgjë nuk po më ben të ndihem më e ofenduar, e nënçmuar dhe e përbuzur se ky realitet ku po na mohohet lëvizja e lirë.

GazetaBlic: Cili është urimi juaj në këtë 10-vjetor të pavarësisë së Kosovës?

Vlora Merovci: Nëse të gjithë e kemi pasur ëndërr të bëhemi shtet, ta jetojmë këtë ëndërr. Nëse kemi ndonjë pakënaqësi në udhëheqje, në mjekësi, në arsim apo kudo tjetër nuk keni nevojë me kritiku me plot mllef shtetin, mund t’i kritikoni konkretisht ata të cilët nuk ju pëlqejnë si punojnë, ata të cilët nuk janë korrekt dhe profesional në punët e tyre, por aman shtetin mos e quani me fjalët më të liga që ju bien në mend, e me gojën plot vrerë. Bukurinë e jashtëzakonshme që mund ta ketë një shtet mos ta shndërrojmë në mallkim. Megjithatë me të mirat e me të këqijat që i ka Kosova unë e dua shumë. Vërtetë shumë!

© ZHURNAL 20.02.2018, 15:25 | Z.H. | 1,135 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."