Rasti "Talevska", Gjykata shkelë parimin e proporcionalitetit
maqedonia
Rasti "Talevska", Gjykata shkelë parimin e proporcionalitetit

Rasti "Talevska", Gjykata shkelë parimin e proporcionalitetit

Shkup, 20 shkurt - Dy vjet dënim me kusht për gazetaren, Ivona Talevska, e cila më parë pranoi fajin në rastin “Tifani” për evazion fiskal. Shpejtë, për disa orë në një seancë të vetme, gjykata i dha një masë alternative e cila nuk do të realizohet në burg, nëse katër vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën.

Gjyqtarja Sofija Laliçiq e obligoi Talevskën ta paguajë evazionin fiskal në shumën prej 50 mijë eurove, në periudhë për një vit, nga hyrja në fuqi e aktvendimit. Prokuroria Speciale është e kënaqur që Talevska e pranoi fajin, edhe pse nuk kishin pasur njohuri për këtë veprim të saj. Ata kanë të drejtë të ankohen për lartësinë e dënimit me kusht. Megjithatë nuk treguan nëse do të ankohen.

Eksperti juridik, Bekim Kadriu për Zhurnal ka deklaruar se PSP nuk duhet të kënaqet vetëm e faktin e vendimit me të cilën dënohet e akuzuara. Sipas tij në partim veprat që kanë të bëjnë me shmangjen e pagesës së tatimit janë vepra të rënda dhe dënimet gjithmonë duhet të jenë të rënda.

“Në parim veprat që kanë të bëjnë me shmangjen e pagesës së tatimit ose siç quhet evazionit tatimorë janë vepra të rënda dhe nëse analizohet në aspekt krahasues në shtetet europiane personat që nuk paguajnë tatim llogariten sikur kanë kryer vepra të rënda penale dhe dënimet janë gjithmonë më të rënda. Përshtypja ime për këtë rast është se PSP kënaqet vetëm me faktin e vendimit me të cilin dënohet i akuzuari pa marrë parasysh se çfarë është dënimi, a është burgim dhe sa është burgimi”, ka deklaruar Kadriu duke shtuar se PSP kënaqet kur Gjykata sjellë një vendim dënues, në të cilin personi që akuzohet dënohet pa marrë parasysh sesa është dënimi, a është më i lartë ose jo.

“Mendoj se kjo gjë nuk është në rregull. Duhet të insistohet në parimin e proporcionalitetit, që nënkupton,  personi të marrë dënimin e merituar në proporcion me veprën që e ka kryer. Dmth këtë qasje e them parimore pa hyrë në detaje se për çfarë vepre bëhet fjalë dhe rrethanat e veprës. E keni parasysh, çdo vepër i ka rrethanat e saja, ka rrethana lehtësuese dhe rënduese. Në këtë rast është fakt që tanimë e dënuara e ka pranuar veprën, që mund të jetë edhe rrethanë lehtësuese. Por flas në përgjithësi, të respektohet parimi i proporcionalitetit dhe tjetra është se PSP nuk duhet të kënaqet që i akuzuari vetëm të dënohet por domosdoshmërisht të insistohet në shqiptimin e dënimit, që dënimi të jetë i merituar”, ka deklaruar për Zhurnal, eksperti juridik, Bekim Kadriu.

Ndryshe, Ivona Talevska ishte akuzuar në rastin “Tifani”, të cilin PSP-ja e hapi pothuajse një vit më parë. Sipas prokurorisë, nga viti 2008 deri në vitin 2014, Talevska nëpërmjet të dhënave të rreme, ka shmangur pagesën e detyrimit tatimor. Si person përgjegjës në kompaninë “Smart SHPKNjP” dhe “Smart Grup SHPKNjP Shkup” nuk ka paguar tatim 37 mijë euro, si dhe gati 17 mijë euro tatim personal.

© ZHURNAL 20.02.2018, 13:03 | Xh.I. | 2,523 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."