Faturat grumbullohen, borxhi rritet kurse përmbaruesit u rrinë te dera
maqedonia
Faturat grumbullohen, borxhi rritet kurse përmbaruesit u rrinë te dera

Faturat grumbullohen, borxhi rritet kurse përmbaruesit u rrinë te dera

Radovish, 18 shkurt - Banorët e Shain Maallo të Radovishit, janë në gjendje të vështirë. Ky është një vend i banuar kryesisht me komunitetin rom, i cili jeton në prag të varfërisë. TV21 i vizitoi këta njerëz për të parë se si po përballen me problemet e përditshme dhe sfidat që i sjell jeta. Ata më së shumti brengosen për ekzistencën e tyre. Meqenëse, rrallëkush prej tyre ka punë të përhershme, prandaj nuk mund rregullisht t’i paguajnë shpenzimet për rrymë, ujë dhe higjienë komunale, e për këtë arsye kanë probleme me procedurat e përmbarimit.

“Përmbaruesit ma kanë bllokuar llogarinë për 6 mijë euro. Tashmë 6 vjet është bllokuar. Faturat vijnë dhe frikësohem se mos e humb shtëpinë”, tha Safet Dimitrov.

G: Pse jeni të bllokuar?

“Nuk e kam paguar rrymën, e as ujin. Përmbaruesit më vijnë në derë”, tha Dimitrov.

G: Pse nuk keni paguar?

“Nuk kam si të paguaj. Marr ndihmë sociale 1 200 denarë dhe jetoj me gruan. Si t’i paguaj faturat?”, shtoi ai.

Nuk mund të gjejnë punë sepse rrallëkush prej tyre ka arsim adekuat. Thonë se nuk janë kundër pagimit të faturave, por se mezi e kalojnë muajin dhe prandaj siç thonë, u nevojitet të kenë punë me rrogë të mirë që të mund t’i paguajnë faturat rregullisht.

“Këtu askush nuk vjen për të parë sa ujë kemi shpenzuar. Askush prej nesh nuk di shkrim – lexim. Dikush ka mbaruar vetëm klasën e tetë, dikush ka shkollë të mesme, kurse dikush nuk ka asnjë ditë shkollë. Prandaj, ne nuk mund të dimë sa kemi shpenzuar dhe sa shkruhet në fatura. Vetëm padi na vijnë”, tha një qytetar i Radovishit.

Me probleme të tilla dhe të ngjashme po përballen mijëra qytetarë në vend. Çdo të shtunë në orën 12 organizohet tubim i qytetarëve para Portës Triumfale në Shkup, ku grumbullohen nënshkrime, kundër

punës së përmbaruesve dhe kërkohet revizion i punës së tyre. Në ndërkohë është duke u përgatitur Ligji i ri për përmbarim.

© ZHURNAL 18.02.2018, 18:26 | T.E. | 1,814 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."