Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Radios: Radioja ka qenë dhe mbetet media që mbërrin më shpejt dhe ndikon audiencën më të gjerë në botë
shqiperia
Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Radios: Radioja ka qenë dhe mbetet media që mbërrin më shpejt dhe ndikon audiencën më të gjerë në botë

Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Radios: Radioja ka qenë dhe mbetet media që mbërrin më shpejt dhe ndikon audiencën më të gjerë në botë

Tiranë, 13 shkurt - Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, zhvilloi sot një takim, me gazetarë, komentatorë, folës, regjisorë, drejtues të ndryshëm radiosh, sportistë të radio-amatorizmit, etj.

Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve u shpreh: “Për mua është privilegj e kënaqësi e veçantë dhe nuk mund të ikte kjo mundësi në këtë vit, që UNESCO e ka quajtur vitin e ‘Radios dhe të Sportit’, për t’iu ftuar ju të gjithëve për të qenë sot sëbashku, që të nxisim më tej të rinjtë tanë, të merren dhe të angazhohen më shumë me sport për të luftuar veset, për të luftuar obezitetin, depresionin te fëmijët, te të rinjtë, te të gjithë shoqëria, por edhe për të promovuar arritjet e sportit tonë që shpresoj në këtë Vit të Skënderbeut do të jenë më të larta.

Gëzuar për 80-vjetorin e Radio Tiranës dhe gëzuar 20-vjetorin e Top Albania Radios, për të gjitha radiot në vendin tonë dhe mbi të gjitha për ata që themeluan jo vetëm Radio Tiranën, por gjithë këtë sistem që ne kemi sot mjaft pluralist dhe mjaft profesional! Uroj suksese për të gjithë komunitetin tuaj, për të gjithë gazetarët, teknikët, komentatorët e radios, për gjithçka që ju bëni për t’i shërbyer publikut! ”

Mesazhi i Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios:

“Është privilegj dhe kënaqësi të shoh sot, të mbledhur bashkë, kaq shumë ikona të radios shqiptare ndër vite, këtij mediumi dhe institucioni kaq të dashur e të afërt për sa e sa breza, që u rritën me zërat tuaj, me programacionet e larmishme dhe tingujt muzikorë që na përçonit nga ajo kuti, që për shumë kënd, përfshi edhe brezin tim, është cilësuar me të drejtë, si magjike.

Dita Ndërkombëtare e Radios, na mblodhi në këtë ceremoni, jo thjesht për të përkujtuar një datë simbolike, por edhe për të vlerësuar në radhë të parë kontributin e secilit prej jush dhe të gjithë atyre drejtuesve, gazetarëve e komentatorëve të mrekullueshme, por edhe teknikëve të palodhur të radios, që sot nuk janë më midis nesh.

Falë të gjithëve ju, ky medium në Shqipëri arriti të merrte një fuqi unike, nga 28 Nëntori 1938, kur daton dhe themelimi i Radio Tirana dhe deri në ditët e sotme, kur radio përballet me sfidat e pashmangshme të dixhitalizimit dhe burimeve alternative të informacionit.

Kur sjell ndërmend radion, nuk mund të mos ndaj me ju edhe faktin se mundësisht, për afro dy vite, edhe unë u përpoqa, të jem një ndër ju.

Para viteve ’90, tepër i ri në moshë, kam bërë edhe unë komentatorin sportiv në emisionin e njohur radiofonik në Radio Tirana “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me një nga ikonat e radios, Ahmet Shqarrin.

Kjo eksperiencë modeste në Radio Tirana më sjell gjithmonë kujtime mbresëlënëse dhe e bën edhe më kuptimplotë afeksionin tim për radion dhe vlerësimin maksimal që kam për kontributin tuaj, në atë çfarë i keni dhënë shoqërisë, shpeshherë në kushte të vështira, pse jo dhe me sakrifica.

Këtë vit Radio Tirana feston 80-vjetorin e themelimit të saj, ashtu siç edhe një radio private, aq shumë e dashur për publikun, Top Albania Radio, feston nesër 20-vjetorin e themelimit të saj. Urime stafeve tuaja!

Data 13 shkurt, që përkon me ditën kur është themeluar edhe radio e Kombeve të Bashkuara në vitin 1946, shënohet edhe si Dita Botërore e Radios, e cila ka për qëllim të kujtojë fuqinë unike të këtij mediumi në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes.

‘Radioja ende mbetet mediumi që arrin audiencën më të gjerë në të gjithë botën, në kohën më të shpejtë të mundur’, thuhet në deklaratën e UNESCO-s.

Ndaj dhe unë uroj që kjo të mbetet e vërtetë!

Fillimet e Radio Tiranës, lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Stoli Beli, Hysen Vendresha, Viktori Xhaçka, Kaliopi Plasari,  Evanthi Zoraqi-Ciko, Anton Mazreku, Lola Gjoka, Pjetër Gjini, Kristaq Antoniu, Liza Vorfi, Behije Çela, Hysen Pelingu, Kel Sata, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Kostaq Nase, Bardhyle Katundi, Mihal Stefa, Abdulla Grimci, Vath Çangu etj. Megjithë vështirësitë e mëdha ekonomike që po kalonte gjatë kësaj periudhë Shqipëria, nga kolektivi i vogël i Radio Tiranës, bëheshin përpjekje për pasurimin e programeve. ‘Ju flet Tirana’ edhe pse nën çensurë, në valën  e saj përçoi vlera kulturore dhe kombëtare.

Në vitin 1962, një ngjarje tjetër e rëndësishme jo vetëm për Radio Tiranën, por në përgjithësi për jetën artistike në vendin tonë, ishte krijimi i Orkestrës Simfonike të Radios. Qëllimi i krijimit të saj, ishte të siguronte dhe të mbulonte me orë transmetimi muzikor, duke bërë të mundur realizimin e shumë aktiviteteve artistike që ideonte dhe realizonte ky institucion.

© ZHURNAL 13.02.2018, 16:25 | Xh.I. | 748 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."