Durrës, si u gjet i fshehur nga frika e hakmarrjes kryebanditi italian
shqiperia
Durrës, si u gjet i fshehur nga frika e hakmarrjes kryebanditi italian

Durrës, si u gjet i fshehur nga frika e hakmarrjes kryebanditi italian

Durrës, 6 dhjetor - Govanni Di Cosimo, i cilësuar si koka e një grupi kriminal në Bari, kishte gjetur strehim prej disa muaj në Durrës, pasi i fshihej policisë italiane por njëherësh i druhej një hakmarje të mundshme nga kundërshtarët e tij në Bari. Kjo pasi sipas burimeve të prokurorisë së Krimeve të Rënda Giovanni Di Cosimo, ishte i përfshirë jo vetëm në trafikun e drogës por edhe në rrëmbime dhe zhdukjen e personave.

Fshehja në Shqipëri

Për t’i shpëtuar hakmarjes dhe prangave të policisë Italiane, Giovanni Di Cosimo, ishte zhvendosur në qytetin e Durrësit, ku prej mëse pesë muaj qëndronte në një apartament në katin e 10 të një pallati në Durrës. Identifikimi dhe lokalizimi i tij është kryer në bashkëpunim me policinë Italiane dhe Prokurorët e Krimeve të Rënda.

Nga ana tjetër policia Bareze në Itali vijonte hetimet paralele, për anëtarët e grupit që drejtohej nga Giovanni Di Cosimo, hetime këto që janë finalizuar me sukses ditën e djeshme, ku në Bari janë arrestuar 14 persona, ndërsa dje në Durrës është vënë në pranga, Giovanni Di Cosimo, kreu i këtij grupi kriminal. Hetimet në shqipëri janë kryer nga dy prokurorët e krimeve të rënda Anton Martini dhe Vladimir Mara.

Arrestimi në Durrës

Gjatë paradites së djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DPPSh, Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës finalizuan operacionin ku u arrestua me qëllim ekstradimi italiani Giovanni Di Cosimo, 40 vjeç, lindur dhe banues në Bari, Itali. Në ngarkim të tij, Gjykata e Barit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./shqiptarja

© ZHURNAL 06.12.2018, 09:21 | Xh.I. | 522 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."