NATO rithekson qëndrimin rreth transformimit të FSK-së në ushtri
kosova
NATO rithekson qëndrimin rreth transformimit të FSK-së në ushtri

NATO rithekson qëndrimin rreth transformimit të FSK-së në ushtri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar të enjten se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’i njoftuar rreth takimit të së mërkurës mes ministrave të Jashtëm të NATO-s për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka deklaruar se i ka theksuar si Prishtinës ashtu edhe Beogradit nevojën për qetësi dhe përmbajtje, si dhe anashkalim të ndonjë hapi apo deklarate provokative.

“Me zotin Haradinaj, kam shqyrtuar planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Kam theksuar se një hap i tillë vjen në kohë të papërshtatshme dhe është kundër këshillës së dhënë nga disa aleatë të NATO-s andaj mund të ketë pasoja negative në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik”, është thënë në deklaratën e NATO-s.

Përveç tjerash ai ka thënë se nëse do rritet mandati i FSK-së, NATO-s i duhet të shqyrtojë nivelin e bashkëpunimit me këtë Forcë.

Sa i përket bisedimeve me presidentin serb Vuçiq, në deklaratën e NATO-s është thënë se Stoltenberg i ka përmendur presidentit serb nevojën për zbutur tensionet.

“U kam rikujtuar të dyve se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Prishtinës dhe Beogradit është rruga e vetme për të arritur paqe dhe stabilitet në rajon.

NATO-ja mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Kosovë përmes misionit tonë paqeruajtës të KFOR-it”, është thënë në deklaratë.

Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Megjithatë të enjten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se tri projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen me 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës duke vlerësuar se “ligjet dhe ushtria do të kalojnë në mënyrë të dinjitetshme dhe Kosova do të ecë në rrugën e saj”./rel/

© ZHURNAL 06.12.2018, 15:12 | Xh.I. | 540 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."