Gjonaj në Bruksel: Largimet nga Vettingu, dëshmi e suksesit të Reformës
shqiperia
Gjonaj në Bruksel: Largimet nga Vettingu, dëshmi e suksesit të Reformës

Gjonaj në Bruksel: Largimet nga Vettingu, dëshmi e suksesit të Reformës

Qeveria Shqiptare është e vendosur për të vijuar në rrugën e reformave të ndërmarra në funksion të forcimit të shtetit ligjor dhe mbështetja e BE përmes çeljes së negociatave do të ndihmojë për t’i çuar ato përpara.

Ky ka qenë qëndrimi i shprehur nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në Samitin Evropian të Ballkanit Perëndimor 2018 mbi “Zgjerimin, Integrimin dhe sfidat e ndryshimeve”.

Samiti, i mbajtur në Bruksel, është organizuar nga “Friends of Europe” në bashkëpunim me Progamin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Komisioni Evropian, për të diskutuar mbi sfidat, idetë dhe shqetësimet e vendeve të rajonit në kuadër të procesit të integrimit europian.

Reforma në Drejtësi që Shqipëria është duke zbatuar, ka marrë vlerësime pozitive gjatë samitit duke u konsideruar si një model i suksesshëm edhe për vendet e tjera të rajonit.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson u shpreh se ka shumë sfida në Ballkan por ka edhe ndryshime dhe transformime. Sipas tij një shembull i mirë për tu përmendur është Shqipëria me reformën në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit.

Duke marrë fjalën në samit, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka theksuar se Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të forcuar sundimin e ligjit përmes reformave të thella.

“Reforma në Drejtësi po jep rezultate të prekshme për qytetarët, ku Vetingu po mundëson pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. 31 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar, 35 të tjerë të konfirmuar në detyrë dhe 15 që kanë dhënë dorëheqjen për të mos iu nënshtruar Vetingut, janë tashmë dëshmia më e mirë se zbatimi i reformës në drejtësi po jep rezultate konkrete”, është shprehur Gjonaj.

Ministrja shqiptare duke falenderuar partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin e deritanishëm ka theksuar se mbështetja politike e Bashkimit Europian është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e Reformave në Shqipëri.

“Me këtë mbështetje reformat do të ecin më shpejt dhe kjo është arsyeja që është shumë e rëndesishme të fillohet me hapjen e negocitave në vijim dhe të kemi këtë vendim pozitiv nga Këshilli. Shqipëria tashmë ka filluar punën teknike për procesin e screening për dy kapitujt 23-24”, ka thënë ministrja Gjonaj.

© ZHURNAL 05.12.2018, 09:21 | Xh.I. | 757 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."