Allegri: Refuzimi që iu bë Ronaldos për Top të Artë do ta motivojë edhe më shumë atë
sport
Allegri: Refuzimi që iu bë Ronaldos për Top të Artë do ta motivojë edhe më shumë atë

Allegri: Refuzimi që iu bë Ronaldos për Top të Artë do ta motivojë edhe më shumë atë

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka thënë se ylli i skuadrës së tij, Cristiano Ronaldo, do të ndihet i motivuar edhe më shumë pasi nuk e fitoi Topin e Artë këtë vit, me të cilin u shpërblye ish-bashkëlojtari i tij, Luka Modric.

Pas një dekade dominim nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, Topin e Artë këtë vit e fitoi Luka Modrici, i cili sezonin e kaluar e fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe verës shkoi deri në finale të Kupës së Botës me Kombëtaren e Kroacisë, transmeton Gazeta Express.

Pasi përfundoi në pozitën e dytë në votimet e këtij viti për Top të Artë, Ronaldo do të jetë edhe më i motivuar që t’i dëshmojë aftësitë e tij në fushë. Të paktën, këtë gjë e pret trajneri i tij, Allegri, nga sulmuesi i tij.

“Është shumë keq, Ronaldo e meritoi atë [Topin e Artë] me Real Madridin, pa asnjë dyshim. Triumfi i Modricit do të jetë shumë motivues për të, ai do të kërkojë të bëjë edhe më shumë për ta fituar për të gjashtën herë Topin e Artë me Juventusin vitin tjetër”, ka thënë Allegri.

“Cristiano Ronaldo është një motivim për të gjithë futbollistët. Edhe me sukseset e tij në moshën 33-vjeçare, ai ende përqendrohet në çdo detaj. Talenti i tij nuk është e vetmja arsye pse ai është në këtë nivel”.

“Ai është një djalosh shumë i pëlqyeshëm dhe ai iu ka përshtatur këtij grupi shumë mirë. Ai e ka ngritur nivelin e profesionalizmit, gjë që gjithmonë ka qenë pjesë e madhe e Juventusit”.

Ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Real Madridit është duke pasur një ndikim mjaft të madh deri tani në Itali.

© ZHURNAL 05.12.2018, 09:16 | Xh.I. | 541 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."