Haradinaj: Duhet punuar të gjithë bashkë, që ta bëjmë Kosovën të fortë, të zhvilluar!
kosova
Haradinaj: Duhet punuar të gjithë bashkë, që ta bëjmë Kosovën të fortë, të zhvilluar!

Haradinaj: Duhet punuar të gjithë bashkë, që ta bëjmë Kosovën të fortë, të zhvilluar!

Prishtinë, 5 dhjetor - "Linjat e prodhimit në tërësi në Kosovë, jo vetëm të drurit, janë të liruara nga taksat dhe lirimi i doganës në importin e lëndës së parë dhe kjo ka ndodhë me kohë", kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen Konventës së Tretë të Industrisë së Drurit, që u bë sot në Prishtinë.

Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se politika fiskale është e qëndrueshme dhe është ofertë e mirë jo vetëm për rajonin, pasi që tatimi në fitim është 10 për qind, në paga 10 për qind, në dividentë është zero dhe  lirimi nga TVSh në eksport, transmeton lajmi.net.

“Në Kosovë janë krijuar parametrat që prodhuesit vendorë të mund të prodhojnë, përpunojnë, nxjerrin produkte, me të cilat mund të garojnë jo vetëm në tregun e vendit të tyre, por edhe jashtë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se vendimet për dhënien në shfrytëzim të pronave për Komunat kanë pas për qëllim ndihmën për zhvillimin e tyre.

 “Elementi më i ri që është tani, është taksa e vendosur për produktet e dy vendeve, pra të Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe dua të lidh vendimin e taksës për ju”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se taksa e  vendosur, është jo vetëm e drejtë, është e duhur dhe ka edhe një efekt, është Kosova e para, që domethënë se ata që jetojnë e punojnë në Kosovë, që paguajnë taksa në Kosovë, që marrin paga prej këtyre taksave, e kanë Kosovën të parën, do ta kenë dhe duhet ta bëjnë Kosovën të fortë, të zhvilluar, të mirë dhe këtë mund ta bëjnë, nëse secili nga perspektiva e vet, mbulon atë hapësirë në të cilën ndodhet.

 Kryeministri Haradinaj, më tutje theksoi se prodhuesit e drurit, përpunuesit, duke zhvilluar kapacitetet e veta, garuar me çmim, ata ndihmojnë në hapjen e vendeve të punës dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, thuhet në njoftim të ZKM-së.

 Duke falënderuar USAID-in, ambasadën suedeze për angazhimin dhe përkrahjen që u kanë dhënë prodhuesve dhe përpunuesve të drurit, jo vetëm në proceset direkt në prodhim e përpunim, por edhe të gjitha ato veprime tjera që ia mundësojnë sipërmarrësve tanë organizimin, brendimin e produkteve, plasimin e tyre, jo vetëm në treg të brendshëm, por edhe në eksport, kryeministri Haradinaj u bëri thirrje prodhuesve që në kuadër të këtyre parametrave të krijuar, të jenë ambicioz, të rrisin prodhimin, cilësinë, vendet e punës, të punojnë për brendimin e produkteve të tyre si brenda, po ashtu edhe jashtë vendit.

 Lisa Magno, drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, tha se industria e prodhimit dhe përpunimit të drurit, është ndër më të suksesshmet dhe ndër më entuziastet në vend dhe po zhvillohet me shpejtësi të madhe dhe me potenciale të jashtëzakonshme që të rritet edhe më tutje.

 Nga ana e saj, Nasrin Pourghazian, kryesuese për bashkëpunim dhe zhvillim, në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, tha se ngjarja e sotme, nuk është vetëm një rast që të promovohen përpunimi dhe prodhimi i drurit, por edhe që të ngriten çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ambientin e biznesit dhe reformat, sukseset, mësimet e nxëna, si dhe sfidat me të cilat përballet kjo industri.

Kryeministri Haradinaj, më pas, pa nga afër prodhimet e ekspozuara të prodhuesve dhe përpunuesve të drurit.

© ZHURNAL 05.12.2018, 13:05 | Xh.I. | 343 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."