Balla-Basha, në gjyq me lojë fjalësh
shqiperia
Balla-Basha, në gjyq me lojë fjalësh

Balla-Basha, në gjyq me lojë fjalësh

Tiranë, 4 dhjetor - Procesi gjyqësor për padinë që deputeti socialist Taulant Balla ka bërë ndaj kryetarit të PD Lulzim Basha për shpifje, në lidhje me 3,4 milionë eurot që u gjetën në disa autovetura Toyota, nga një gjyq që duhet të shqyrtojë faktet është kthyer në një gjyq loje fjalësh.

Mbrojtja e avokatëve të zotit Basha tha se denoncimi në Parlament, rezultoi i vërtetë dhe se vetë Balla në kallëzimin që ka bërë në Prokurori për nxjerrje të sekretit shtetëror, ka deklaruar se Bashës me siguri ja kanë dhënë informacionin njerëz që janë marrë me hetimin, ka sjelle edhe reagimin e Taulant Ballës në seancë e kësaj të marte.

Taulant Balla: Pala akuzuese, ka sjellë në këtë gjyq si provë të vetme kallëzimin që unë kam bërë në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës. I bie që unë ia paskam thënë vetë Bashës informacionin për veten time.

Përgjigja e Gazment Bardhi: Ne nuk thamë që Balla i ka dhënë informacionin Bashës, por sollëm provën që Balla në Prokurori ka deklaruar se këtë informacion Bashës me siguri ia kanë dhënë njerëz që janë marrë me hetimin, transmeton “Gazeta Shqip”.

Ndërkohë edhe pyetjes së gjyqtarit të çështjes, Gerd Hoxhës se kush ia ka dhënë informacionin kryetarit të Partisë Demokratike që e dinte se do të vinin disa autovetura ku ishin fshehur miliona euro, avokatët e Bashës i janë përgjigjur vetëm me faktin që kanë qenë disa burime të besueshme, po pa i treguar ato.

Seanca e radhës është caktuar pas dy javësh ku pritet të deklarohet edhe përfundimi i shqyrtimit gjyqësor.

© ZHURNAL 04.12.2018, 16:03 | Xh.I. | 460 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."