ANALISTËT  Politika shqiptare të jetë më aktive në agjendën euro-atlantike
maqedonia
Analistët  Politika shqiptare të jetë më aktive në agjendën euro-atlantike

Analistët  Politika shqiptare të jetë më aktive në agjendën euro-atlantike

Shkup, 23 Janar - Kontesti 25 vjeçar  për emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, së fundmi ka marrë një kahje tjetër   që është e shoqëruar  me optimizëm dhe se ky kontest dhe kjo problematikë do të merr epilog përfundimtar  pozitiv.

Dihet që shqiptarët janë të përkushtuar fuqishëm për integrimin Euro-Atlantik të vendit dhe në BE, e sidomos është botërisht e ditur që shqiptarët janë të përkushtuar për vlerat përparimtare të SHBA-së dhe BE-së.

Por është më se e nevojshme që edhe roli i përfaqësuesve politik, pra partive politike  të jenë më objektiv dhe racional mbi këtë proces mjaft të ndërlikuar.

Analisti politik Xhelal Neziri për Zhurnal thotë se për dallim nga më herët  kur partitë politike shqiptare kanë qenë vetë të përjashtuara nga procesi i zgjidhjes së emrit ku nuk kanë treguar asnjë interes, në këtë periudhë kur bisedohet intezivisht për zgjidhjen e kësaj çështje mendoj se ka më tepër angazhim të partive politike shqiptare në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështje.

“Me  interes për të gjitha partitë politike shqiptare është ajo që kjo çështje të zgjidhet me qëllim që të hapen proceset integruese në NATO  dhe në BE, gjithashtu këto janë pika që kanë vend në të gjitha platformat e partive politike shqiptare”.

Neziri përfundon duke thënë se kyçja dhe angazhimi i partive politike shqiptare, sidomos në votimin e ligjeve që kanë të  bëjnë me reformat që i kërkon Brukseli zyrtar por edhe në rast të ratifikimit të një marrëveshje eventuale me Greqinë në Parlament ku do ti vihet pikë problemit me emrin  do të ishte një lloj kontributi I veçantë i partive politike shqiptare në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të emrit.

Edhe analisti politik Ismet Ramadani për Zhurnal thotë se  partitë politike shqiptare duhet të jenë të kyçura në zgjidhjen e çështjes së emrit për faktin se zgjidhja e këtij problemi hapë rrugën e integrimit të Republikës së Maqedonisë, që do të thotë se do të ketë perspektivë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, nënkuptohet që edhe për shqiptarët, meqë edhe ashtu shqiptarët janë përcaktuar pa dilema, pa alternative drejt opsionit Euro-Amerikan apo Euro-Perëndimor.

“Po në këtë çështje shqiptarët nuk mund të marrin rolin kryesor, sepse do të ketë reagime nga më të ndryshmet”.

Ramadani përfundon duke thënë se reagimet mund të vijnë sidomos nga ata të cilët nuk janë të interesuar për  zgjidhje të çështjes së emrit, e as nuk janë të interesuar për antarësim të Maqedonisë në NATO, por sidoqoftë partitë politike dhe shqiptarët duhet ta kenë rolin e vet, që të jenë pjesë e bisedimeve, pjesë e vendimarrjes,  të jenë pjesë e konsensusit eventual për emrin, dhe kjo do të jetë roli pro aktiv në zgjidhjen e çështjes së emrit.

© ZHURNAL 23.01.2018, 15:30 | I.XH | 2,156 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."