Numri i bankave në shpërputhje me tregun
ekonomi
Numri i bankave në shpërputhje me tregun

Numri i bankave në shpërputhje me tregun

Shkup, 26 dhjetor – Bankat në Maqedoni, vite me radhë renditen ndër bizneset më fitimprurëse në shtet të cilat vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti kanë pasur fitime prej 124 milion euro si rrjedhojë kryesisht e pagesës së borxheve që ka pasur kombinati Feni nga Kavadari ndaj Bankës Komerciale dhe Stopanska Bankës, si dhe shitjes së Fondit Pensional që e zotëronte Tutunska Banka, shkruan gazeta KOHA. Në rritjen e fitimit të Bankës Komerciale ka ndikuar edhe shitblerja e pronës së fabrikës së vajit Briljant nga Shtipi, që i është shitur kompanisë Vitaminka nga Prilepi për afër 7 milion euro. Fitime të larta ka shënuar edhe Tutunska Banka si rrjedhojë e rritjes së fitimeve nga kamatat , provizionet por edhe të ardhurave të tjera siç ishte shitja e Fondit Pensional që e bleu kompania gjithashtu sllovene Sava Re.

 

Edhe në vitet e kaluara shënohen fitime të mëdha si në vitin 2017 prej 103 milion euro, apo në vitin 2016 prej 102 milion euro. Për rritjen e madhe të fitimit të bankave në dekadën e fundit flet edhe fakti se fitimi i tyre është rritur për katër herë nga 23 milion euro fitime të të gjithë sektorit bankar në vitit 2006 në mbi 80 milion euro në vitin e kaluar, vetëm nëse llogarisim vetëm fitimin e treshes së bankave më të mëdha si Tutunska Banka , Stopanska dhe Komercijalna. Ekonomistët shpjegojnë se bankat të ardhura të rëndësishme, vjelin nga neto të ardhurat e kamatave , gjegjësisht dallimit midis kamatave të kredive që miratohen dhe kursimeve që ju paguhen qytetarëve . Të ardhura të rëndësishme fitohen edhe prej kompensimeve dhe provizioneve të ndryshme, ndërsa një pjesë e fitimeve realizohet edhe prej dallimit të kursit devizor. Nga ana tjetër, bankat harxhojnë një pjesë të fitimit edhe për të mbuluar pagat e të punësuarve , për rezervimin e kredive të këqija, ose humbjet për shkak të dëmtimit gjegjësisht përmirësimit të vlerës së mjeteve financiare.

 

Nga ana tjetër, nga Banka Popullore thonë se liria e bankave që vetë të përcaktojnë lartësinë e çmimit të shërbimeve të tyre, përfshi edhe shkallët e kamatave paraqet një nga karakteristikat kryesore të një ekonomi funksionale tregu dhe të një tregu të lirë financiar.

 

Eksperti financiar Neritan Turkeshi thotë se bankat me punën konzervative dhe të kujdesshme se kujt i ofrojnë kredi dhe me çfarë kushte apo dhënia kredi ndaj borxhlinjve që me gati 100 për qind nesër edhe do të kthejnë borxhin, si dhe rritjen e numrit të kredimarrësve në fund edhe realizojnë fitime të mëdha në vitet e kaluara.

 

“Ndoshta në vend të një përkufuzimi eventual ligjor lidhur me kompensimet apo fitimet që realizojnë bankat nga dallimi i kamatave aktive dhe pasive apo kamatave të kursimeve në raport me kamatat e kredive nevojitet të nxitet konkurrenca e shëndoshë në sistemin financiar, me uljen u numrit të madh në bankave në Maqedoni. Por nuk duhet harruar se bankat përgjigjen para aksionarëve të tyre dhe e kanë për detyrë të sjellin profit për pronarët e tyre”, thekson Turkeshi. Sipas tij, nevojitet të gjendet një drejtpeshim midis lirimit të kredive dhe stabilitetit financiar në shtet për shkak se bankat përkundër çmimeve të kripura të shërbimeve të tyre, megjithatë mundësojnë që mbi një milion qytetarë të kapërcejnë muajin me kredi konsumatore, të mund të blejnë banesë, të shkollojnë fëmijët, apo të ndërrojnë teknikën e bardhë në amvisëri.

 

Nga ana tjetër, njohësit e sistemit financiar në vend thonë se bankat duhet të jenë pjesëmarrës më të mëdhenj në rritjen ekonomike të shtetit, duke ofruar edhe shërbime të tilla siç janë banka investuese përmes grumbullimit të hollave të bizneseve, duke vendosur në treg emisionet e reja të letrave me vlerë apo me pasimin e instrumenteve të tjera tek kredituesit .

 

“Sikur bankat në ambientin tonë ekonomik kanë një pozitë të privilegjuar dhe të mbrojtur në raport me bizneset e tjera. Ndoshta në këtë drejtim duhet të mendohet edhe të rritet tatimi për sektorin e bankave”, thotë eksperti , Pavle Gacov. Institucionet relevante financiare ndërkombëtare vlerësojnë se në Maqedoni punojnë një numër tejet i madh i bankave në raport me tregun e vogël.

“Sektori bankar ka numër të madh të bankave në raport me madhësinë e ekonomisë, ndërsa konsolidimi mund të ndihmojë në përforcimin e sektorit në përgjithësi si dhe kreditimin e biznesit. Stabiliteti i sektorit bankar është i fuqishëm, megjithatë numri i bankave mbetet i madh në raport me madhësinë e tregut. Përkundër konsolidimit në vitet e kaluara megjithatë në shtet akoma ka 16 banka, një numër i madh për treg të vogël”, thuhet në analizën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

© ZHURNAL 26.12.2018, 18:35 | T.E. | 2,699 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."