Ku është nisur kjo dynja ?
opinion
Ku është nisur kjo dynja ?

Ku është nisur kjo dynja ?

Ky kaos që po shkakton pasoja të pariparueshme dhe tollovi në zemër e që shpirtin e bën copash duke i imponuar si kualitet egocentrizmin dhe megalomaninë, është rrugë drejtë labirintheve të vetmisë dhe drejtë mbylljes në kazamatet e botës virtuale. Punë dreqi është kjo.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

 

     Edhe në këtë fundvit po dëgjoj e po lexoj njerëz të ndryshëm tek po bëjnë rekapitulime të sukseseve dhe të aritjeve që vetëm ata i quajnë suksese e aritje që duhen festuar. Një mori njerëzish po bëhen gadi, shih çudinë, të festojnë faktin që ju paska kaluar edhe një vit nga jeta e tyre në këtë botë dhe në ballë ju qenka krijuar edhe një rrudhë. Njerëz të tjerë do festojnë pa e ditur fare se çka po festojnë. Në këtë atmosferë të çuditshme, po detyrohem të konstatoj se njeriu bashkëkohor gjithnjë e më vështirë po mundë të  krijojë një raport të qëndrueshëm me realitetin dhe të kapërcejë murin që ndanë abstrakcionin nga ajo që është konkrete.

Kontrapunkti

Por, nëse përpiqeni të bëni një rekapitulim të asaj çfarë ka përjetuar  dhe çfarë ka parë njerëzimi gjatë vitit që po e lëmë pas, nuk po më duket se dikush diçka mundë të festojë. Më shumë, do kisha thënë, njerëzimi ka arsye për t’ia krisë vajit .Pse ?

Sepse njeriu bashkëkohor, fatkeqësisht, po vazhdon të jetë vetëm një guralec i pa rëndësishëm në mozaikun e një gënjeshtre globale në të cilën po dominojnë  mjerimi shpirtëror dhe dofarë ligje të pakuptimta, psikologjia vetëshkatëruese e konzumerizmit,etja për pushtet, përmbysja e vlerave dhe meskiniteti, mashtrimi që po mëton të bëhet virtyt politik, realiteti virtual, totalitarizmi, dhembja dhe vuajtja,streset, atentatet mediale mbi vetëdijen e shikuesit dhe lexuesit që po kulmojnë me spektakle të kota,goditja e pamëshirshme e privatësisë,korupcioni, varfëria, uria, frika,katastrofa të shumta ekologjike…

Nëse tërë kësaj ia shtojmë faktin se njeriu bashkëkohor po detyrohet që çdo ditë të shfletojë katalogun e mbushur deng me falsifikues të historisë dhe të aktualitetit, me revolucionarë të shndëruar në satrapë të cilët po ndikojnë që revolucionet t’i  hanë fëmijtë e vetë, me postierët e urrejtjes,me manekinë politikë dhe me sundimtarë të vuajtjeve, me armiq të mendjes dhe arsyes, me sehirbazë televiziv dhe me vrasës të shpresës dhe të ëndrës,me pashallarë lokalë dhe me hijenat e luftës që qarkullojnë kufinjëve të përgjakur, unë vërtetë nuk e kam të qartë ku po e shohin njerëzit arsyen për lumturi e gëzim. Kuptohet, po flaës këtu për njerëzimin dhe për fatin e tijë në përgjithësi, jo për fate dhe gëzime individuale.

Jo, ky tekst nuk është ndjellakeq dhe pesimist, është një përpjekje e vogël për të sinjalizuar se në këtë kohë të pa kohë që po e jetojmë, e keqja po mëton të shndërohet në diçka të rëndomtë, në një gjendje që njeriu duhet t’a pranojë si gjendje normale në të cilën keqbërësit nuk do kenë nevojë të fshehen, vrasësit do shëtitin lirshëm , hajdutët do respektohen dhe intrigantët do madhërohen.Ky tekst është , në fakt, një kontrapunkt i errësirës si simbol i të keqes.

Cili është ilaçi

Në Kur’an thuhet se “ata që shkelin kufijtë e asaj që është e drejtë janë të dënuar në dëshpërim djegës dhe errësirë të akullt”, andaj është detyrë dhe obligim për çdo njeri të mbajë anën e dritës, anën e të mirës dhe të të vërtetës. Ilaçi i epidemisë që po sulmon njerëzimin është dashuria ndaj Zotit nga e cila pastaj buron edhe dashuria ndaj njeriut. Tjetër ilaç nuk ka.

Mjerisht, aktualisht po shohim edhe përpjekje të shtuara për të anashkaluar Zotin dhe besimin ose për të përfituar nga Zoti dhe besimi duke i përdorur për një qëllim të caktuar ideologjik, shtetëror apo partiak.Kjo nuk mundë të  quhet ndryshe përveç – blasfemi, ofendim i Zotit dhe i besimit. Nëse dikur komunizmi e luftonte fenë për të fshehur padrejtësitë që i shkaktonte në pamundësi të realizojë lumturinë dhe barabarësinë që kishte premtuar, shtrohet pyetja – kush dhe çka po dëshiron të fshehë sot duke e keqpërdorur fenë.

Keqpërdoruesit fare lehtë mundë të detektohen te lloji dhe kategoria e njerëzve që u përmendën më lartë, por sidoqoftë është e dhembshme që ajo kategori po përpiqet të infantilizojë shpirtin e popullit duke  ofruar ide anakronike të lyera me bojëra të cilat kinse simbolizojnë drejtësinë dhe prosperitetin. Këta helmues të shpirtërave janë ideologët e përpjekjes që paqen, qetësinë dhe rregullin hyjnor në zemrën njerëzore t’a shndërrojnë në furtunë.

Ky kaos global që , natyrisht, po ndikon jo pakë edhe  në këtë nënqiell nuk mundë të sjellë asgjë të mirë sepse nuk prodhon energji krijuese dhe nuk rezaton tolerancë . Ky kaos që shkakton pasoja të pariparueshme dhe tollovi në zemër e që shpirtin e bën copash duke i imponuar si kualitet egocentrizmin dhe megalomaninë, është rrugë drejtë labirintheve të vetmisë dhe drejtë mbylljes në kazamatet e botës virtuale. Punë dreqi është kjo.

Pra, çka është ajo që sjellë gëzim të përgjithshëm, çka është shpresëdhënëse në këto kohë që kërkojnë doemos të përmbysen, çka n’a bën të lumtur kur duar të fshehta e fshehin të vërtetën duke ia kontrolluar burimin ? Ku po shkon kjo dynja ?

Në Kur’anin Famëlartë, në suren” Er Rrahman”, ajeti 60, thuhet : “A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër pos të mirës”!

Jo, nuk mund sepse të mirat që do i bëjmë në emër të Krijuesit tonë do kthehen ndoshta jo nga ai të cilit ia kemi bërë një të mirë, por do kthehen me siguri si shpërblim në këtë dhe në atë botë. Pra, të përhapim mirësinë dhe dashurinë në emër të Zotit dhe të përpiqemi të pengojmë kaosin që po mbretëron. Do kemi arrsye të vërtetë për të festuar e për t’u gëzuar vetëm atëherë kur do shohim se lumturia po e mbërthen botën mbarë.

© ZHURNAL 25.12.2018, 20:18 | B.L. | 12,669 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."