ZHURNAL.MK ZHURNAL.KS ZHURNAL.AL
« Analizë » Fondet e BE-së për Maqedoninë, një histori papërgjegjshmërie
« INSIDE » Parkingjet - Komunikacioni akoma mbetet hall i madh i qytetarëve

 

Lajme nga Shqiperia
Meta kërkon nga qeveria dhe opozita në Kosovë të gjejnë zgjidhje të mençura
666495__SyeuInBQrG.jpg

Tiranë, 22 janar - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta deklaron se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje të mençura dhe të përafrojnë vendin me integrimet evropiane.

Këto komente, Presidenti Meta i bëri gjatë vizitës së sotme në Kosovë, ku u takua edhe me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Meta u shpreh se gjatë këtij takimi ka diskutuar me Haradinaj kryesisht në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës.

“Shpresoj shumë në angazhimin e mëtejshëm edhe të Kryeministrit Haradinaj dhe të gjithë Qeverisë, por edhe të opozitës për të dhënë zgjidhje të mençura për të gjitha ato çështje të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë drejtim, mund t’i sigurojmë Kosovës për mbështetjen tonë maksimale, gjithmonë në koordinim me Kryeministrin, me Presidentin dhe Parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet këtu”, u shpreh Meta.

Gjithashtu, Presidenti tha se ndodhet për vizitë në Kosovë në përvjetorin e 12-të të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, duke theksuar kështu rëndësinë e kujtimit të vlerave të tij.

“Jam këtu për vlerësimin dhe admirimin e veçantë për presidentin Rugova në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta dhe theksoj rëndësinë e kujtimit të vlerave të tij. Mezi po presim 17 shkurtin, 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, si një mundësi për të afirmuar edhe më tej rrugën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, deklaroi kreu i shtetit.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, tha se qëllimi i Kosovës mbetet integrimi i saj në strukturat euroatlantike, teksa ka nënvizuar edhe pengesat e saj në këtë rrugë.

“Perspektiva euroatlantike e Ballkanit është ajo që na bashkon të gjitha shtete. Por, neve na pengon shumë mosnjohja nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaroi Haradinaj.

“Kjo qasje e BE-së na bën neve të trajtohemi pa një identitet të mirëfilltë. Pra, për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që na njeh si shtet të pavarur e sovran, Bashkimi Evropian nuk e ka një pozicion të tillë”, tha Kryeministri i Kosovës.

Haradinaj foli edhe në lidhje me paralajmërimet për një përshkallëzim të mundshëm të gjendjes së sigurisë në Kosovë, pas vrasjes së njërit prej liderëve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

“Të gjithë mekanizmat e rendit dhe të sigurisë konfirmojnë se situata e sigurisë është e qëndrueshme, e qetë. Vrasja e Ivanoviçit është marrë shumë seriozisht nga të gjitha institucionet tona dhe nuk ka paralajmërime për çfarëdo destabilizimi të Kosovës. Ju e vërejtët që edhe vizita e presidentit Vuçiç kaloi në një atmosferë korrekte, dhe besoj se porosia këtu është e qartë, se përgjegjësitë për zhvillimet në Kosovë i kanë institucionet e saj”, deklaroi Haradinaj. /a.y/noa.al

 

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 22.01.2018, 13:01  | Xh.I. | 409 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA
AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"
Fon: 02 3217 815, E-mail: info @ zhurnal.mk
© 2018 Agjencia e lajmeve "ZHURNAL"
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara. Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.
 
<