Në NATO, falë Mukovskit dhe Tarçullovskit!
opinion
Në NATO, falë Mukovskit dhe Tarçullovskit!

Në NATO, falë Mukovskit dhe Tarçullovskit!

Shmangia e dënimit për kryekriminelët, si dhe mungesa e vullnetit politik për pranimin e amendamenteve që shndërrojnë shtetin pronë të të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm të maqedonasve, tregon se rrënjët e gruevizmit ende po e ushqejnë një pjesë të estabilishmentit aktual qeveritar

Nga Vedat MEMEDALIU

Ajo nga e cila kishin frikë dhe ishin kundër pjesa më e madhe e qytetarëve, më në fund u realizua. Parlamenti të mërkurën, me mbi 90 vota miratoi Ligjin e amnistisë, që do të lë jashtë burgut pesë deputetët e VMRO-së, të njohur në opinion si njerëzit kryesorë që hapën dyert dhe drejtuan turmën drejt sallës për konferenca në Parlamentin e Maqedoni, ku më 27 prill 2017, deputetët e qeverisë aktuale po uronin zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlamentar.

Jashtë burgut me gjasë do të mbeten edhe organizatorët e protestave kundër të ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”, katër-pesë shovinistë maqedonas të njohur edhe për huliganizëm në më shumë ngjarje në vend, sidomos kur bëhej fjalë për ndonjë kërkesë apo ngjarje që lidhej shqiptarët. Dhe, siç arsyetohet shumica dhe kryeministri Zoran Zaev, e gjithë kjo për të mirën e Maqedonisë, konkretisht pajtimin midis deputetëve dhe rrumbullaksimit sa më të shpejtë të procesit të Prespës. Paramendojeni, çfarë ironie, ato duar (Krsto Mukovski dhe Johan Tarçullovski) që dikur ua kishin hapur dyert rrugaçëve që të hyjnë pa problem në Parlament dhe të vrasin kënd të duan, tani po përdoren si votë për të siguruar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të emrit dhe me këtë, falë tyre – ne do të jemi pjesë e NATO-s!

Nëse qëllimi i amnistisë ishte pajtimi, Zaevi mund të shkonte në votime, të siguronte një mandat më të qartë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe të hapte diskutimin mbi pajtimin dhe nevojën për amnisti. Është shumë e qartë se Qeveria ka nevojë për votat edhe të VMRO-së për ndryshime kushtetuese, por jo për pajtim, shantazh dhe amnisti kriminelësh. Shantazhi, amnistia dhe krimi ishin ato për të cilët qytetarët e luftuan dhe rrëzuan gruevizmin.

 

Zaevi dhe kjo Qeveri me amnistinë e pardjeshme e vulosi bindjen por sikur edhe e vërtetoi dyshimin publik se nuk janë të sinqertë në atë që pretendojnë dhe deklarojnë. Mashtrimi i parë ndodhi me Referendumin, kur nuk u shkua në zgjedhje edhe pse dështoi procesi i votimit, ndërsa tani – ata që e futën në krizë të thellë vendin – u shpallën të pafajshëm, madje po shpërblehen me miliona euro tendere siç është rasti me kompaninë e Mukovskit.

Amnistia si këmbim i pesë-gjashtë votave nuk është asgjë tjetër pos një tregti e pistë dhe ndërhyrje direkte në gjyqësor. Parimisht, askush nuk është kundër amnistisë, por të lihen jashtë grilave të burgut kriminelët dhe më pas të deklarohet se e gjithë kjo bëhet për të mirën e vendit – është më shumë se tallje me mendjet e shëndosha në këtë vend. Amnistia pa dyshim se është nevojë aktuale e shoqërisë në përgjithësi, por jo edhe e Qeverisë, së cilës mandati iu besua për udhëheqje demokratike dhe të drejtë, apo “Jetë për të gjithë”, siç e ka për qejfi të thotë kryeministri.

Nuk ka shqiptarë që nuk e dëshiron zbatimin sa më të shpejtë të Marrëveshjes së Prespës, por jo në kurriz të heshtjes ndaj kërkesave tyre. Fundja, NATO është siguri për shtetin, themelet e së cilës betonohen pafundësisht. Lojërat e ndyta me amnistinë, e së fundmi edhe amendamentet kushtetuese, tregon se kjo Qeveri gjithçka mund të jetë, por vetëm e sinqertë jo, kurrsesi. Shmangia e dënimit për kryekriminelët, si dhe mungesa e vullnetit politik për pranimin e amendamenteve që shndërrojnë shtetin pronë të të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm të maqedonasve, tregon se rrënjët e gruevizmit, fatkeqësisht, ende po e ushqejnë një pjesë të estabilishmentit aktual qeveritar. (koha.mk)

© ZHURNAL 21.12.2018, 11:57 | B.M. | 4,154 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."