Globalizimi i islamofobisë
opinion
Globalizimi i islamofobisë

Globalizimi i islamofobisë

Çfarë besojnë dhe çfarë duan ata që s’besojnë Zotin ? Nëse e duan urrejtjen, ata duhet të ballafaqohen me faktin se urrejtja nuk e di mirë as gjuhën e vetë, ndërkohë që dashuria ndaj njeriut dhe humaniteti i flasin të gjitha gjuhët.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Duke u përgaditur për të marrë pjesë në një Konferencë që muajin e ardhshëm do e organizojë Këshilli Botëror i Bashkësive Muslimane lidhur me të drejtat dhe obligimet e bashkësive muslimane në Evropën Lindore, vetvetiu po më paraqitet si preokupim një temë të cilën jo rallë e kam shtjelluar. Pra, po më preokupojnë islamofobia si një fenomen që po shndërohet në një problem relevant shoqëror, si dhe qëndrimet stereotipe ndaj Islamit të cilat vazhdojnë t’a paraqesin besimin e një miliardë njerëzve si një civilizim dhe kulturë që nuk i pranon vlerat demokratike, që preferon dhunën, që padrejtëson gruan…

Sinqerisht, qëndrimi tërësisht i thjeshtëzuar dhe tani më i skematizuar që Islamin dhe Evropën, Islamin dhe Perëndimin po i paraqesin si dy botëra paralele që kursesi nuk mundë të funksionojnë bashkë, ka filluar të bëhet neveritës. Të ndezësh zjarre e të mobilizosh masat duke ekperimentuar me ndjenjat kolektive, duke ngjallur frikë nga ardhja e refugjatëve dhe emigrantëve, duke e nxitur senzacionalizmin medial me qëllim të demonizimit të Islamit, nuk mundë të konceptohet ndryshe përveç si nxitje e urrejtjes.

E urrejtja, sikundër edhe segmentet përcjellëse të sajë siç janë dyfytyrësia, xhelozia, lakmia, janë probleme psikopatologjike që sipas interpretimeve bashkëkohore përfshihen në kategorinë e “çregullimeve të personalitetit”. Në këtë vazhdë, duke qenë i bindur se urrejtja e fëlliqë shpirtin e njeriut, mendoj se edhe ata të cilët e përhapin urrejtjen ndaj Islamit sikurse edhe ata që bien nën gracka të atilla, në fakt i nëpërkëmbin të vërtetën dhe argumentet dhe në atë mënyrë po bëjnë që edhe jeta e tyre, edhe jeta e të tjerëve të bëhen më të vështira.Është e dhembshme nëse qëndrimin ndaj Islamit e profilojnë njerëz të cilët fshehurazi e djegin një pyell të tërë e pastaj bëhen sikur po e fikin zjarrin që t’i sheh e tërë bota.

Sidoqoftë, po e them sërish atë që po e përsëris me vite të tëra. Pra, po them se frika nga “terorizmi islamik” i cili po keqpërdoret nga politikanë të të djathtës ekstreme të cilët përmes mediave që i kontrollojnë po e derdhin mosdurimin e tyre mbi refugjatë e emigrantë, është vetëm një maskë. Të mos harojmë se njëkohësisht me frikën që e ndjejnë perëndimorët nga “terorizmi islamik”, nga po ai terror po frikësohet edhe pjesa më e madhe e muslimanëve të botës.Por ama, muslimanët janë të shqetësuar njëkohësisht edhe nga fakti se gjeneralizimi i dhunës si “veti e karakteristikë e muslimanëve” po ndikon në përhapjen e ksenofobisë dhe islamofobisë në popullatën perëndimnore.

Janë evidente tendencat e interepretimit të Islamit dhe Perëndimit si dy njësi tërësisht jokompatibile, madje duke e prezantuar Islamin si” inferior ndaj civilizimit perëndimor, si civilizim i përfshirë nga primitivizmi, dhuna e iracionaliteti që vijnë ndesh me racionalitetin, civilizimin dhe bujarinë e Perëndimit…” Dhe, kjo tendencë pastaj pjellë bindjet sipas të cilave “ janë të natyrshme qëndrimet antiislame dhe diskriminimi i muslimanëve”.

Pikërisht për shkak të këtyre stereotipeve dhe për shkak të këtyre të pavërtetave, kujtoj se Islami dhe Perëndimi duhet të bëjnë urgjentisht diçka konkrete në drejtim të njohjes më të detajuar të ndërsjellë,.Kjo nëkupton njohjen më të thellë të kulturave politike e fetare të njëri tjetrit, njohje kjo që do të rezultojë me tolerancë e respekt për fenë e tjetrit, për kulturën e tjetrit, për politikën e tjetrit. Kuptohet, një marëdhënie e re mes Islamit dhe Perëndimit, para së gjithash duhet të eliminojë të kuptuarit e Islamit si një shenjë dalluese ideologjike dhe jo si fe.

Pa dyshim, përe të kuptuar dhe për të tejkaluar një marëdhënie aq të ndërlikuar sikur kjo që është krijuar mes civilizimit dhe kulturës islame me atë perëndimore, nevoiten mendje shumë të hapura intelektuale, qëndrime të sinqerta dhe dituri të tërësishme.

Ndërkohë, mjerisht, do jemi dëshmitarë të globalizimit të islamofobisë e cila pa dyshim paraqet një kombinim të tmershëm të gënjeshtrës, urrejtjes,krimit dhe të shkeljes të drejtave të njeriut. Na mbetet neve muslimanëve që bashkërisht të ndërtojmë e zhvillojmë qëndrime të cilat do ua bëjnë të qartë islamofobëve se qëndrimet e tyre nuk ju kanosen vetëm muslimanëve por tërë shoqërisë njerëzore. Sepse urrejtja nuk përkon as me krishterizmin dhe ajo mundë të sjellë vetëm urrejtje, islamofobia mundë të nxitë kristianofobinë.Islamofobët, nuk kam asnjë fije dyshimi, nuk mundë të jenë besimtarë.

E çfarë besojnë dhe çfarë duan ata që s’besojnë Zotin ? Nëse e duan urrejtjen, ata duhet të ballafaqohen me faktin se urrejtja nuk e di mirë as gjuhën e vetë, ndërkohë që dashuria ndaj njeriut dhe humaniteti i flasin të gjitha gjuhët.

© ZHURNAL 20.12.2018, 09:40 | D.J. | 14,231 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."