Amnistia për "27 Prillin", Arsllani: Amnisti selektive dhe "pazar politik"
maqedonia
Amnistia për "27 Prillin", Arsllani: Amnisti selektive dhe "pazar politik"

Amnistia për "27 Prillin", Arsllani: Amnisti selektive dhe "pazar politik"

Shkup, 16 dhjetor - Ligji për amnisti për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë tregon qartë për orientimin e kësaj klase politike që drejton vendin se po jepet goditje reformave në gjyqësor dhe dëshmon se edhe më tutje ekzistojnë "pazare politike" për raste si kjo e dhunës së paparë në një institucion ligjvënës, kështu vlerëson në një prononcim për Zhurnal, analisti Ismail Arsllani. 

"Këtu kemi të bëjmë me një amnisti selektive, për një numër të caktuar të personave të burgosur, të cilët pastaj do të jenë në shërbim të nomenklaturës qeverisëse, për të sendërtuar aspiratat për integrim të vendit në BE dhe NATO, duke shfrytëzuar votën e kushtëzuar të tyre për sigurimin e dy të tretave të nevojshme të votave. Amnistia nënkupton faljen e të gjithëve, për të cilët mendohet se janë të pafajshëm, ose të asnjërit, aq më shumë se qarkullojnë informata se në burgjet e Maqedonisë, pjesa dërrmuese e të burgosurve janë të pafajshëm, në radhë të parë të shqiptarëve, dhe pikërisht ata nuk përfshihen në këtë amnisti", deklaroi për Zhurnal, Arsllani. 

Sipas tij, me këtë bëhet shkelje e rëndë e të gjitha konventave për të drejtat e njeriut, që nuk duhet të ndodhë në një vend që synon integrime euroatlantike. 

"Në këtë rrafsh, sidomos duhet të angazhohen deputetët dhe ministrat shqiptarë në qeveri, që të mund të ketë një zgjidhje fatlume, me amnisti, për të gjithë të burgosurit e pafajshëm, çka ishte edhe një nga premtimet parazgjedhore të kryeministrit të tashëm, Zaev", nënvizon Arsllani.

© ZHURNAL 16.12.2018, 16:00 | D.J. | 3,328 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."