Deponia në Rusino, sigurohen mjetet për rrugën
maqedonia
Deponia në Rusino, sigurohen mjetet për rrugën

Deponia në Rusino, sigurohen mjetet për rrugën

Shkup, 13 dhjetor - Sigurohen mjetet për ndërtimin e rrugës që shpie drejt pikës për grumbullimin e mbeturinave, Rusino. Këtë sot e konfirmuan në vendngjarje Ministri i Pushtetit lokal Suhej Fazliu, kreu i Gostivarit Arben Taravari dhe drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi të cilët premtuan se punimet do të fillojnë së shpejti. Por  mbetën pa përgjigje në pyetjen se përse pritet projekti të fillojnë në dimër, kur punët rrezikohen nga kushtet atmosferike.

"Është puna në duar të komunave dhe në duar të Qendrës për Zhvillim të Rajonit të Pollogut se kur do të fillojnë punët. Është e rëndësishme se mjetet u siguruan dhe u kaluan gjitha procedurat”, tha Suhejl Fazliu, Ministër i pushtetit lokal

"Së shpejti duhet të niset të ndërtohet një rrugë prej 2.5 kilometrash, në vlerë prej 24 milion denarë . mendoj se këto ditë ose nëse jo këto ditë, këto muaj më në fund do nis asfaltimi i kësaj rruge që do jetë benefit dhe përfitim për gjithë qytetarët”, theksoi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit

Ndërkohë shefi i Byrosë për Zhvillim Rajonal, vonesën e  arsyeton me mungesën e projektit adekuat.

"Përse vonohen punët, këtu në këtë deponi jo që vonohen punët, sidomos këtë vit, por paraprakisht për këtë deponi nuk ka pas projekte infrastrukturore që të aplikojnë te Regjioni i Pollogut”, u shpreh Ramiz Rexhepi, Drejtor i Byrosë për Zhvillim Rajonal

Mungesën e projektit e ka konfirmuar edhe Drejtori i regjionit të Pollogut Fatmir Sahiti, i cili vite me radhë ka premtuar se punët do të fillojnë së shpejti dhe se projekti është gati. Bllokimi për hedhjen e mbeturinave në Rusino të Gostivarit, nga ana e banorëve vazhdon edhe më tej, deri në fillimin e punëve për asfaltimin e rrugës dhe plotësimin e dhjetë pikave që kërkuan banorët në mbledhjen e fundit në Regjionin e Pollogut.

© ZHURNAL 13.12.2018, 16:05 | Xh.I. | 1,742 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."