Veshalla kërkon infrastrukturë më të mirë
maqedonia
Veshalla kërkon infrastrukturë më të mirë

Veshalla kërkon infrastrukturë më të mirë

Tetovë, 19 janar - Banorë të fshatit Veshallë të Komunës së Tetovës i kanë drejtuar kërkesa Komunës së Tetovës, të cilët sipas, tyre janë më prioritare, shkruan gazeta Koha. Sipas përfaqësuesve të Bashkësisë Lokale të këtij fshati, banorët e fshatit Veshallë kërkojnë që autoritetet e Komunës së Tetovës të bëjnë disa ndërhyrje infrastrukturore që do të jenë jetike për ata si banorë.

“Kërkojmë sigurimin e një linje të rregullt transporti për në fshatin tonë, sepse largësia me qytetin e bën të pamundur komunikimin më të mirë me qytetin e Tetovës. Kjo është edhe një nga arsyet që ndikon në uljen e numrit të banorëve të cilët shpërngulen në qytet”, thuhet në fillim të kërkesës së banorëve të fshatit Veshallë drejtuar Tetovës. Më tej, si kërkesë e tyre figuron edhe kërkesa për vendosjen e mbrojtjeve anësore në rrugën për në këtë fshat e që janë dëmtuar gjatë pastrimit të rrugëve në kohën e dimrit. “Të përshpejtohet procesi i ndërtimit të rrugës së vjetër Tetovë-Brodec, gjegjësisht të asfaltohet rruga prej 2 kilometrave nga fshati Veshallë deri në Brodec dhe të sanohet rruga në vendin e quajtur ‘Te Thana’”, qëndron në kërkesë. Banorë të këtij fshati kanë kërkuar edhe  rregullimin e bazenit të ujësjellësit që, sipas tyre, është shumë i vjetër.

“Kërkojmë rregullimin e bazenit të ujësjellësit që është shumë e vjetër dhe kërkojmë punësime të punëtorëve që do të mirëmbajnë ujësjellësin”, thuhet mes tjerash në kërkesat e këtyre banorëve. Kërkohet gjithashtu marrëveshje me koncesionerin që ndërton hidorcentrale për të ruajtur rrjedhën e lumit dhe realizimin e disa projekteve tjera. Në ndërkohë, nga “EVN Maqedoni” kanë kërkuar që të rregullohet edhe rrjeti i rrymës elektrike, gjegjësisht të largohen shtyllat elektrike që pengojnë qarkullimin normal të banorëve. Si kërkesë figuron edhe bekatonizimi i disa rrugëve të këtij fshati malor. Kërkohet edhe punësimi i një mjeku në këtë fshat, sepse ambulanca e ndërtuar nuk funksionon.

“Kërkojmë të punësohet një mjek, sepse nuk kemi mjek dhe jemi të detyruar të udhëtojmë me dhjetëra kilometra për të marrë shërbime mjekësore”, thonë nga Bashkësia Lokale e këtij fshati. Si pasojë e largësisë me qytetin, mos investimet dhe mungesa e infrastrukturës ka bërë që shumë banorë nga ky fshat tashmë të shpërngulen në Tetovë, kurse pjesa dërmuese të marrë rrugën e mërgimit, kryesisht në Evropë. Sipas banorëve, në këtë fshat kanë jetuar rreth 1000 familje në të kaluarën, por tani dukshëm ka rënë numri i banorëve, të cilët për arsye të ndryshme – kanë vendosur të qëndrojnë në këtë fshat dhe të mos e braktisin. Nga Bashkësia Lokale kanë kërkuar që kërkesat e tyre të merren më seriozisht nga komuna, sepse popullata tashmë përballet me shumë mungesa infrastrukturore. Nga Sektori për tokë ndërtimore dhe komunikacion i Komunës së Tetovës thonë se në këtë fazë janë duke u shqyrtuar kërkesat e Bashkësive Lokale dhe në ato më prioritare – do të intervenohet, ndërsa premtojnë se gjatë dimrit – mirëmbajtja e rrugëve do të jetë në nivel më të mirë.

© ZHURNAL 19.01.2018, 11:22 | Xh.I. | 1,676 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."