Studiuesit e shkencave të mjekësisë diskutuan rreth traumës dhe kirurgjisë emergjente
maqedonia
Studiuesit e shkencave të mjekësisë diskutuan rreth traumës dhe kirurgjisë emergjente

Studiuesit e shkencave të mjekësisë diskutuan rreth traumës dhe kirurgjisë emergjente

Tetovë, 8 nëntor - Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, bashkë me Shoqatën e Traumës dhe Kirurgjise Emergjente, organizuan Konferencën e Tretë Ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Kongresin e Dytë të Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente.

Në këtë ngjarje shkencore, emra eminentë të fushave të mjekësisë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, si dhe nga vende të ndryshme evropiane i paraqitën punimet e tyre shkencore, të cilat pritet të sjellin debat të frytshëm, sepse mes vete debatojnë profesorë, ekspertë dhe specialistë të ndryshëm të shkencave të mjekësisë.

Konferencën e Tretë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Kongresin e Dytë të Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente e përshëndetën rektorët e disa universiteteve, si dhe drejtues të institucioneve të mjekësisë.

Sipas Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, veprimtaritë e kësaj natyre synojnë avancimin shkencor, prurjet e reja dhe tejkalimin e problemeve që paraqesin sfidë për shkencat e mjekësisë dhe jo vetëm.Kjo ngjarje me rëndësi për rajonin do të mundësojë shkëmbimin e ideve, përftimin e njohurive të shumta, krijimin e lidhjeve dhe miqësive të studiuesve vendas dhe të huaj. Ky bashkëpunim i frytshëm shpresojmë të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim jo vetëm të ngritjes së nivelit të hulumtimeve shkencore nga fushat e ndryshme të mjekësisë, por edhe në zbatimin praktik të rezultateve të arritura nga puna kërkimore-shkencore e këtyre fushave, u shpreh Prof. dr. Vullnet Ameti.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Prof. dr. Arben Gjata, theksoi se për universitetet shqiptare është i domosdoshëm bashkërendimi i aktiviteve të përbashkëta shkencore. Kjo ngjarje shkencore na bashkon ne si universitete, ajo që ne si Universitet i Mjekësisë në Tiranë i kushtojmë rëndësi jashtëzakonisht të madhe është bashkëpunimi ndëruniversitar dhe ne i jemi mjaftë mirënjohës Universitetit të Tetovës për bashkëpunimin e sinqertë që ka me ne, sepse vetëm duke bashkëpunuar në projekte të këtilla mund t’i realizojmë qëllimet tona të përbashkëta që i kemi”, u shpreh Prof. dr. Arben Gjata.

Mendim të ngjashëm për rëndësinë që ka bashkëpunimi mes universiteve shqiptare dhe jo vetëm, shfaqi edhe Rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof. dr. Skënder Topi.Vlerësoj se është detyrë e jonë e bashkësisë akademike, që t’i bashkërendojmë punët tona shkencore në nivel universitetesh. Besoj që kjo konferencë dhe ky kongres, duke pasur gjithëpërfshirjen e universiteteve shqiptare, por dhe të atyre ballkanikë dhe evropianë, në të vërtetë bashkërendon të gjitha mundësitë për të realizuar një kërkim shkencor dhe kjo është vazhdimësia e punës tonë që ne të përmirësohemi edhe më shumë në hulumtimet tona shkencore dhe krijimin e ideve të reja inovative”, shtoi Prof. dr. Skënder Topi.

Kryetari i Shoqatës së Тraumës dhe Kirurgjisë Emergjente, Prof. dr. Agron Dogjani, tha se qëllimi i Konferencës dhe Kongresit është që  të gjithë së bashku, mjekët, kirurgët dhe jo vetëm, të afrohemi rreth një sofre të madhe për të diskutuar, debatuar dhe shpalosur qëndrimet dhe idetë rreth traumës dhe urgjencës kirurgjike.

Drejtori i Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, Prof. dr. Arben Zenelaj, duke iu referuar trajtimit të urgjencave kirurgjike në përgjithësi, e veçanërisht atyre traumatologjike, tha se këto përbëjnë sfida të veçanta të çdoditshme për stafet mjekësore. Sipas tij, reflektimi ose përmbledhja e këtyre problemeve në punën e përditshme me organizimin e këtyre aktiviteteve shkencore do ta përmirësojë edhe më shumë punën e mjekëve në këtë drejtim dhe do të jëtë një ndihmesë e madhe për ato.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjëksisë i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Kastriot Haxhirexha, tha se Konferenca dhe Kongresi do të përfshijnë sesione të ndryshme dhe simpoziume të lidhura me lajmet e fundit në fushën e traumatologjisë dhe të mjekësisë emergjente. Ne kemi për qëllim të ofrojmë për të gjithë pjesëmarrësit, si për kirurgët, mjekët, traumatologët, anesteziologët, studentët e mjekësisë, infermierët dhe profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor, një mundësi për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tyre rreth traumatologjisë dhe mjekësisë emergjente dhe për të marrë aftësitë e reja të nevojshme për ofrimin e kujdesit optimal për pacientët. Kongresi i Traumatologjisë dhe Emergjencave është një takim treditor, i cili do të përpiqet të sjellë së bashku kirurgë prestigjozë dhe traumatologë dhe t'i jep secilit prej tyre një mundësi për të shkëmbyer informacione dhe aftësi në fushën e traumatologjisë, kirurgjisë dhe specialiteteve të ndryshme mjekësore”, nënvizoi Prof. dr. Kastriot Haxhirexha.

Këtë aktivitet shkencor e përshëndetën edhe Kryetari i nderit i Kongresit të II të Shoqatës së Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente, Prof. dr. Rifat Latifi dhe koordinatori i Konferencës së Tretë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. dr. Lutfi Zylbehari.

Po ashtu, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, në shenjë respekti për mbështetjen që i kanë dhënë organizimit të këtij manifestimi shkencor, ndau mirënjohje për sponzorët e konferencës.

© ZHURNAL 08.11.2018, 19:31 | T.E. | 1,085 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."