Shilegov: Përmendorja e UÇK-së është punë e Komunës Çair, Qyteti i Shkupit nuk ka të..
« Analistët » Ligji për gjuhët, shqiptarët të jenë unikë në qëndrime
« KUR ZENKU DEMANTON VETVETEN » Kur "Lash Art Tetovë" sekretari Zenku, dëshiron të demanton mediat !
"Patrioti" Muhamed Zekiri ka kohë për vendosjen e luleve në Qendrës Memoriale të KAÇK..
A jemi të gatshëm ne shqiptarët që ta jetësojmë si duhet ligjin për gjuhët edhe kështu si është ?!

Shkruan VEBI BEXHETI

Fjalën e kam për Ligjin e përdorimit të gjuhës shqipe, por meqë ligji u soll me këtë emër, do e quaj si të tillë, edhe pse tani më dihet botërisht se ligji i fundit por edhe ato të mëparshmit, për gjuhët, që nga Marrëveshja e Ohërit, u sollën për shkak të Gjuhës shqipe. Kjo lojë fjalësh që e pamundëson emërtimin real të ligjit, që të quhej ashtu siç duhej, edhe pse te ky i fundit në kllapa shkruhet vetëm një herë edhe emri i Gjuhës shqipe, vjen si rezultat i albanofobisë dhe tendencës për ta zbutur këtë ,,hata"që nacionalistët maqedonas ta kuptojnë se nuk bëheshka fjalë vetëm për gjuhën shqipe por për të gjitha gjuhët e pakicave nëse do e plotësojnë kushtin e përqindjes së nevojshme, dhe se Gjuha maqedonase me shkrimin e saj edhe mëtutje do mbetet e vetmja gjuhë zyrtare. I tërë ky manipulim me emërimin e këtij ligji, që mbështetet vetëm në përqindje, e ka historikun e vet që nga Marrëveshja e Ohërit, për t'u bërë më vonë edhe pjesë e Kushtetutës që tani e pamundëson emërtimin e vërtetë , zyrtarizimin e mirëfilltë të saj dhe barazimin e plotë me maqedonishten.

Edhe pse në disa nene të këtij ligji dhe të atyre të mëparshmëve, përfshirë edhe Kushtetutën, bëhet fjalë pë zyrtarizim, mendoj se nuk ka asnjëfarë kuptimi që zyrtarizimi t'i përshkruhet një gjuhe pa emër, asaj të përqindjes. Emërtimi i një gjuhe me përqindjen e popullit që e flet atë, siç është rasti me Gjuhën shqipe, në Maqedoni, ishte me prapavi të errët politike, të qarqeve nacionaliste maqedonase, si e vetmja shpresë se kjo përqindje e shqiptarëve së shpejti do zvogëlohet natyrshëm, përmes uljes së natalitetit, migrimit, ose manipulimeve të kurdisura paraprakisht për ndonjë regjistrim që e ashuquajtura gjuhë e njëzet përqindshit t'i kthehet sërish kategorisë së gjuhës së pakicave. Kjo llogari pa hanxhiun mendoj se nuk mund të realizohet asnjëherë dhe se Gjuha shqipe sot apo nesër do bëhet zyrtare dhe e barabartë me maqedonishten, madje edhe më e avansuar në përdorim ndërkombëtar, pas integrimeve të plota euro-atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo nuk mund të arrihet aq lehtë nëse subjektet politike shqiptare në Maqedoni nuk janë këmbëngulëse dhe unikë në qëdrimet e veta, pavarësisht pozitës së tyre, në Qeveri ose jashta saj. Edhe ligji që sapo u miratua në Kuvendin e Maqedonisë, që mendoj se, edhe si i tillë i mundëson përdorim shumë të gjerë Gjuhës shqipe, nuk erdhi aq lehtë, madje për te u derdh edhe gjak brenda hapësirave të këtij Kuvendi.

Me gjithë pengesat dhe ndërkëmbëzat që mund të përgatiten nga qarqe të ndryshme albanofobe që të pengohet implementimi i këtij ligji, ashtu siç ngjau me Marrëveshjen e Ohërit, shtrohet pyetja se sa ne shqiptarët jemi të përgatitur që t'i dalim zot gjuhës sonë, ta flasim dhe ta shkruajmë atë bukur e pa gabime. Ky ligj, edhe kështu si është, kërkon shumë punë, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, kur kemi parasysh përdorimin e Gjuhës shqipe dhe shkrimin e saj në tërë administratën shtetërore, ate të ndërmarrjeve publike , të sistemit gjyqësor dhe të shumë institucioneve tjera të të gjithave niveleve në shtet. Për momentin, i tërë potenciali profesional që e kemi, i njrëzve që mund të kenë sukses në kultivimin e gjuhës administative shqipe, është i pamjaftueshëm që t'i bëjë ballë këkeses për përdorim të mirëfilltë të saj në çdo vend ku do ketë nevojë. Për paaftësinë tonë për t'u përballur me këtë punë sa fisnike aq edhe të vështirë,sa intelektuale, aq edhe kombëtare, nuk mund t'i fajsojmë të tjerët, por ata, të tjerët do na fajsojnë neve se kërkesat i kemi më të mëdha se mundësitë intelektuale.

Në mënyrat më perfide, për mosjetësimin e plotë të këtij Ligji do punojë edhe Qeveria, gjithsesi duke mbajtur llogari edhe për pjesën maqedonase të opozitës dhe për të gjithë ata që fuqimisht e kundërshtojnë këtë ligj, që nga akademikët e deri te njerëzit e thjeshtë. Sinjale të këtilla nga Qeveria për pamundësimin e realizimit të plotë të këtij ligji kemi që në fillim, vetëm disa ditë, pas miratimit të tij, që u kuptua nga zëdhënësi i saj , kur e bëri të njohur qëndrimin e Ekzekutivit se nuk do ketë punësime të reja në institucionet siç janë, Agjencia dhe Inspektorati që do formohen për implementimin e këtij ligji, por me këto çështje do merren të punësuarit në administratën shtetërore që janë pa vende pune. Edhe tendenca për manipulimin e 25 përqindëshit të nivelt lokal me 25 përqindëshin e nivelit shtetëror, që nga qarqe të ndryshme ngatërrohet për interesa tani më të njohura, ka për qëllim ta minimizojë pëqindjen e shqiptarëve në nivel shteti dhe duke e ulur ate në nivel lokal, të pamundësojë realizimin e mirëfilltë të këtij Ligji në tërë territorin e Maqedonisë.

Klasa politike shqiptare, universitetet, intetelektualët dhe shoqatat e ndryshme profesionale joqeveritare, duhet të këmbëngulin përmes veprimeve të ndryshme demokratike në kërkesa për punësime të reja profesionale, duke e pamundësuar politizimin edhe në këte fushë të ndjeshme, kur dihet se të gjithë administratorët e punësuar në Qeveri, e që ende nuk janë ulur në karriget e zyrave të kësaj administrate, janë partiakë. Edhe sikur të jenë të atillë, nëse janë profesionistë të mirëfilltë, mund edhe të angazhohen në këto vendet të reja, por kur dihet se ato janë të profesioneve të ndryshme dhe nuk i kanë as edhe njohuritë fillestare për gjuhën shqipe, assesi nuk duhet lejuar eksperimentimentime në dëm të kësaj gjuhe.

Nga përvoja që kemi deri sot në përdorimin e gjuhës shqipe nëpër tekste shkollore të të gjitha niveleve të arsimit këtu në Maqedoni, ku kjo gjuhë përdhoset në mënyrën më të vrazhdë dhe askush nuk e merr përgjegjësinë, nuk jam optimist se do kemi sukses në përdorimin e saj në përmasë aq të madhe, dhe në cilēsi, nëse këtë veprimtari aq profesionale ia lëmë vetëm pjesës shqiptare të Qeverisë, apo të politikës në përgjithësi. Vetëm njerëzit e papërgjegjshëm dhe pa njohuritë elementare të shqipes, drejtshkrimit dhe kultivimit të saj, mund të mendojnë se të merresh me gjuhën shqipe dhe drejtshkrimin e saj, nuk qenka ndonjë punë e rëndë. Meqe jemi para një sprove të madhe, nëse do ia dalim apo jo t'i përgjigjemi kësaj kërkese, tani më të obliguar edhe me ligj, përgjegjësinë kryesore për mos sukses të mundshëm duhet ta bartin edhe intetelektualët shqiptarë, kuptohet, nëse klasa politike përmes Qeverisë do i përkrah me mjete financiare që ato, ashtu të organizuar në mënyra të ndryshme profesionale, të merren edhe me çështjet kadrovike, pa i përjashuar edhe trajnimet ose kurset përmes së cilave kandidatët qē kanë studiuar gjuhën shqipe ose degën e përkthimit, mund të përgatiten më mirë profesionalisht për betejën që i pret.

 15.01.2018, 10:11  | Xh.I. | 1,443 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

MË TË LEXUAR
« Jozyrtare » Zhurnal mëson emrat e përfolur për drejtor të BDI-së në këto drejtori
« Foto » Pandeli Majko në “konakun” e Lazim Destanit
Sot borë në gjithë vendin
Zaev, nuk planifikohet rritje e moshës për pensionim
Shilegov: Përmendorja e UÇK-së është punë e Komunës Çair, Qyteti i Shkupit nuk ka të drejtë ligjore në atë procedurë
 

 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2018 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.