Ngjela: Arrestimet në Maqedoni mesazh për pushtetarët shqiptarë
maqedonia
Ngjela: Arrestimet në Maqedoni mesazh për pushtetarët shqiptarë

Ngjela: Arrestimet në Maqedoni mesazh për pushtetarët shqiptarë

Shkup, 15 nëntor - Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi ditën e djeshme se vala e arrestimeve maqedonase do të mbërrijë së shpejti edhe në Shqipëri. Teksa në Maqedoni është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski si edhe është vënë në pranga dje edhe ish-ministri i Transporteve, Mile Janakievski, Ngjela pret që e njëjta gjë të ndodhë edhe me politikanët shqiptarë.

Në një reagim të dhënë për gazetën “SOT”, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi u shpreh se arrestimet në Maqedoni duhet të shërbejnë si një mesazh për të gjithë pushtetarët shqiptarë të lidhur me Moskën. Sipas tij, në shtetin fqinj po dalin përballë drejtësisë ata politikanë të lidhur me shtetin rus, ndaj theksoi se një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe në Shqipëri.

“Rastet janë të lidhura. Atje politika amerikane u tregua shumë e rreptë dhe i ka ndihmuar shumë maqedonasit. Ai ishte një korrupsion banal i lidhur me Moskën dhe kundër shqiptarëve. Në këtë rast kemi një paralele midis eliminimit të korrupsionit politik dhe ekonomik të partisë së Gruevskit dhe ngritjes së personalitetit të të drejtës së shqiptarëve. Ata vjedhin nëpërmjet korrupsionit dhe përkrahen nga Moska. Por në këto momente ka ndryshuar. Edhe në Shqipëri politika amerikane po e drejton luftën kundër korrupsionit. Edhe korrupsioni shqiptar nuk është ashtu i palidhur, është i paguar nga forcat antishqiptare. Mendoj që kështu do të shkojë edhe këtu. Asnjë ndryshim nuk do të ketë nga Maqedonia”, tha Spartak Ngjela.

Gazeta e paralajmëroi para pak kohësh sesi një pushtetar i lartë shqiptar mbante lidhje me Rusinë përmes këshilltarit të tij. Mesa duket, Ngjela po paralajmëron se të gjithë politikanët që kanë lidhje me Moskën do të përballen së shpejti me drejtësinë, njësoj siç po ndodh edhe në shtetin maqedonas.

© ZHURNAL 15.11.2018, 10:30 | D.J. | 6,026 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."