Shteti do të mbulojë 51 për qind të borxheve të komunave
maqedonia
Shteti do të mbulojë 51 për qind të borxheve të komunave

Shteti do të mbulojë 51 për qind të borxheve të komunave

Shkup, 14 nëntor - Pas debatit treditor për ribalancin e plotësuar të Buxhetit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 53 vota “pro” e miratoi atë. Me këtë janë bërë korrigjime për shpenzimet dhë është siguruar përkrahja financiare për komunat dhe përforcimin e fondeve për sigurimin shëndetësor, sigurimin pensional dhe invalidor dhe Agjencisë për Punësim.

Ky ligj rregullon mbështetjen financiare për njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe njësitë e përdoruesve të themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit, kulturës, fëmijëve dhe mbrojtjes sociale për financimin e detyrimeve të papaguara. Zëdhënësi i Komunës së Tetovës Armend Falziu tha se me këto mjete do t’i shlyejnë vetëm një pjesë të borxheve të Komunës, dhe këto mjete janë të dedikuara eksluzivisht për këtë shkak.

Ministri i Financave Dragan Tevdovski theksoi se ribalanci bazohet në projektimin për rritje të BPV real prej 2,8 për qind në vitin 2018, ndërsa deficiti i buxhetit nuk ka ndryshuar dhe është 2,7 për qind nga BPV. Me ribalancin, siç tha, pritet të përmirësohet pozita fiskale e komunave, për çka parashihen tre miliardë denarë. Drejtori i Financave në Komunën e Bogovinës Besir Miftari, thotë se nuk është edhe aq ideale kjo zgjedhje e Qeverisë duke e përmendur mundësinë e kredimarrjes nëpër komuna, para të cilat do t’i përdornin për t’i shlyer borxhet e trashëguara.

Me ribalancin, është bërë zhvendosja e mjeteve, dhe alokimi shtesë në vlerë prej 660 milionë denarë për Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me qëllim të pagesës së pandërprerë të pensioneve dhe shpenzimeve tranzitore për shtyllën e dytë pensionale. Janë siguruar 763 milionë denarë në Fondin për Sigurim Shëndetësore me qëllim të realizimit të të drejtës për mbrojtje shëndetësore, si dhe mjete shtesë në vlerë prej 451 milionë denarë për Agjencinë e Punësimit për pagim të kompensimeve në bazë të papunësisë. Nga ana tjetër, propozim buxhetin për vitin 2019, Qeveria më së voni duhet ta dorëzojë në Kuvend deri më 15 nëntor, ndërsa me ligj është paraparë të miratohet më 31 dhjetor. 

© ZHURNAL 14.11.2018, 10:10 | D.J. | 1,344 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."