Kosova e Maqedonia shkelin afatin për kalendar të përbashkët kulturor
maqedonia
Kosova e Maqedonia shkelin afatin për kalendar të përbashkët kulturor

Kosova e Maqedonia shkelin afatin për kalendar të përbashkët kulturor

Prishtinë, 13 nëntor – Kosova e Maqedonia kanë planifikuar që të kenë kalendar të përbashkët kulturor qysh prej shtatorit të këtij viti. Por dështimet në projektimin e ngjarjeve të përbashkëta kulturore kanë nisur në hapat e parë. Dy Ministritë e Kulturës nuk i janë përmbajtur as afatit të caktuar për nënshkrimin e dokumentit ku do të parashihej bashkëpunimi në fushën e kulturës midis institucioneve të të dyja vendeve. Entuziastë e bindës ishin treguar ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, dhe homologu i tij në Maqedoni, Asaf Ademi, në ditën e parë të gushtit të këtij viti. Ademi ia kishte mësyrë vizitës së parë jashtë vendit si ministër që të ketë takim me ministrin Gashi në Ministrinë e Kulturës në Prishtinë.

 

Në një konferencë të përbashkët për media kishin shpalosur se kanë rënë dakord për bashkëpunim konkret në fushën e kulturës. Bile ministri Gashi kishte shkuar edhe më tej. Kishte thënë se është e mundshme të bëhet një kalendar i përbashkët kulturor midis Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë. Por deri më tash nuk ka asgjë konkrete as midis vetë Kosovës e Maqedonisë.

 

“Duke pasur parasysh që një numër i madh i shqiptarëve jetojnë në Maqedoni dhe Maqedonia ka një mërgatë të madhe shqiptare, jemi dakorduar që t’i autorizojmë institucionet e kulturës në mënyrë që të kemi aktivitete, ngjarje të përbashkëta kulturore. Gjithashtu të kemi shkëmbime të ansambleve tona me ansamblet e Maqedonisë. Shqiptarët këndej e andej kanë një gjuhë, kulturë e traditë të përbashkët. Po ashtu jemi dakorduar që ta kemi edhe një kalendar të përbashkët kulturor”, kishte thënë ministri Gashi. Asokohe ai kishte thënë se në kuadër të marrëveshjeve ngjarjet kulturore do të caktohen veç e veç.

Homologu i Gashit, Asaf Ademi, kishte thënë se bashkëpunimi do të shkojë duke u thelluar edhe më shumë.

© ZHURNAL 13.11.2018, 19:25 | T.E. | 1,508 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."