Zgjidhja e tashme është më e mira e mundshme për Kosovën
opinion
Zgjidhja e tashme është më e mira e mundshme për Kosovën

Zgjidhja e tashme është më e mira e mundshme për Kosovën

Shkruan AUGUSTIN PALOKAJ

Problemi nuk qëndron në faktin se Serbia nuk ka treguar gatishmëri që ta njeh Kosovën si shtet të pavarur, sipas planit të Ahtisaarit, por në atë se një gjë e tillë nga Serbia nuk është kërkuar në mënyrë të prerë asnjëherë. Përmes dialogut Kosova ka marrë pjesë edhe vetë në krijimin e hapësirës së veprimit për Serbinë që të kërkojë “zgjidhje përfundimtare” pa pasur nevojë që Kosovën ta njeh si shtet. Kur Serbisë i është dhënë një hapësirë e tillë. Në stilin “we agree to disagree” (pajtohemi se nuk po pajtohemi), ajo e ka shfrytëzuar dhe po e shfrytëzon këtë.

Çfarë ironie duket sot situata në Kosovë ku Lëvizja Vetëvendosje del në mbrojtje të kufijve të Kosovës dhe të sovranitetit, dhe integritetit të saj territorial, ndërsa personi i cili e lexoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sipas planit të Ahtisaarit, Hashim Thaçi, angazhohet për ndryshim të kufijve, duke u orvatur të kamuflojë këtë me eufemizma të ndryshëm si “demarkacion” apo “korrigjim” kufijsh.

Kur Thaçi, në bazë të planit të Ahtisaarit, kishte shpallur pavarësinë dhe EULEX-i si mision i BE-së kishte ardhur në Kosovë mes të tjerash edhe për të përforcuar mbrojtjen e pakicës serbe, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar protesta. Për këtë Lëvizje, që angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ishte e papranueshme një zgjidhje e tillë. Kjo edhe për shkak se përjashtohej mundësia e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Në atë kohë plani i Ahtisaarit, apo propozimi i tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës kishte mbështetje të madhe të qytetarëve të Kosovës. Ajo nuk ishte një zgjidhje ideale, por ishte zgjidhja më e mirë e mundshme. Duke marrë parasysh se Kosova nuk mund të kthehej në gjendjen e para vitit 1999, pra nuk mund të ishte nën administrimin e Serbisë, duke marrë parasysh nevojën që serbët dhe trashëgimia e tyre fetare e kulturore duhej të mbroheshin në mënyrë të veçantë, përmes edhe garancive kushtetuese dhe pranisë ndërkombëtare, dhe duke marrë parasysh se pavarësia e Kosovës do të duhej të ruante parimin e mosndryshimit të kufijve, Ahtisaari, pas një procesi të gjatë me përfshirje të gjerë ndërkombëtare, kishte ardhur në përfundim se një pavarësi, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, me të drejtat speciale për serbët, është zgjidhja më e mirë.

Kjo vazhdon edhe sot të jetë zgjidhja më e mirë e mundshme për statusin e Kosovës. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur thotë se do të heqë dorë nga ideja për korrigjimin e kufijve kur dikush t’ia jep një propozim më të mirë.

Problemi nuk qëndron në faktin se Serbia nuk ka treguar gatishmëri që ta njeh Kosovën si shtet të pavarur, sipas planit të Ahtisaarit, por në atë se një gjë e tillë nga Serbia nuk është kërkuar në mënyrë të prerë asnjëherë. Përmes dialogut Kosova ka marrë pjesë edhe vetë në krijimin e hapësirës së veprimit për Serbinë që të kërkojë “zgjidhje përfundimtare” pa pasur nevojë që Kosovën ta njeh si shtet. Kur Serbisë i është dhënë një hapësirë e tillë. Në stilin “we agree to disagree” (pajtohemi se nuk po pajtohemi), ajo e ka shfrytëzuar dhe po e shfrytëzon këtë.

Dialogu i Brukselit, si zhvillimi më negativ me pasoja në historinë e Kosovës në tridhjetë vjetët e fundit, ka qenë procesi më i dukshëm i ndihmës Serbisë që të tejkalojë pengesat pa pasur nevojë të njohë realitetin në Kosovë. Madje duke kërkuar “zgjidhje me të cilën as Serbia nuk do të ndihej humbëse”, ky dialog e ka sjellë pothuajse në pikën fillestare rastin e Kosovës.

Dialogu i ka mundësuar Serbisë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe shumë gjëra të tjera. I ka mundësuar edhe ngritje të raporteve me shumë shtete perëndimore, të cilat kanë investuar në Serbi. I ka ndihmuar edhe të mbajë nivelin e madh të eksportit në Kosovë. Një analiste nga Serbia këto ditë madje tha se Serbia eksporton në Kosovë më shumë sesa në Rusi. Dialogu i ka mundësuar Serbisë të jetë faktor kyç në zhvillimet e brendshme të Kosovës dhe në masë të madhe edhe të jashtme. Dhe, siç po shihet tash, i ka mundësuar Serbisë që të pengojë njohjet e reja dhe madje të bëjë përpjekje për tërheqjen e njohjeve nga disa shtete, duke argumentuar se dialogu në Bruksel është në kërkim të një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

Duhet rikujtuar se edhe në negociatat e ndërmjetësuara nga Ahtisaari, edhe më vonë në ato të ndërmjetësuara nga treshja BE-SHBA-Federata Ruse, bëhej përpjekje maksimale për të siguruar një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Por, siç ishte thënë edhe në udhëzimet për negociatat për statusin e Kosovës, të miratuara nga Grupi i Kontaktit, synimi për zgjidhje me pajtimin e të dyja palëve nuk do të thotë se njëra palë ka mundësi ta mbajë të bllokuar procesin. Kështu edhe ndodhi që Kosova të shpallte pavarësinë pa pajtimin e Serbisë.

Por, edhe pse Serbia nuk ishte pajtuar me shpalljen e pavarësisë, e as me propozimin e Ahtisaarit, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte e njëanshme. Për nga natyra shpalljet e pavarësisë janë të njëanshme. Një entitet shpall pavarësinë e vet. Këtë e kishin bërë para Kosovës shumë shtete, nga Sllovenia e Kroacia deri tek Mali i Zi. Por shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte më së paku e njëanshme nga të gjitha. Sepse ishte shpallur si rezultat i një propozimi ndërkombëtar, pas një procesi ndërkombëtar, me kushtëzime ndërkombëtare dhe me prani ushtarake, policore, doganore, politike dhe policore ndërkombëtare.

Edhe kjo nuk ishte një zgjidhje ideale, por ishte më e mira e mundshme. Tash jemi në një situatë kur disa qarqe nga Brukseli, të mbështetura edhe nga disa ish-kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA, bëjnë përpjekje për të nxitur një “zgjidhje përfundimtare”, e cila përfundimisht do të anulonte gjithë këtë që ishte arritur përmes procesit që nga Ramboullieti, ndërhyrja e NATO-s e propozimi i Ahtisaarit e deri tek mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk ishte shkelur as e drejta ndërkombëtare, e as rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këtë të fundit duhet rikujtuar sot kur Beogradi dhe Moska thirren në këtë rezolutë sikur ajo të mos e mundësonte pavarësinë e Kosovës si opsion. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk e përjashtonte pavarësinë e Kosovës, as nuk e caktonte statusin, por e linte si çështje të hapur që duhet zgjidhur përmes një procesi politik, që edhe ndodhi.

Duke mos kërkuar nga Serbia që ta njohë Kosovën, duke u pajtuar me porosinë e Serbisë se “Serbia kurrë nuk do ta njeh Kosovën” ata që në BE nuk e njohin Kosovën, por edhe ata që mendojnë se është i duhur qëndrimi “neutral ndaj statusit” ia kanë vështirësuar edhe Serbisë që të njohë realitetin. Këtë e bëjnë edhe sot. Sepse nuk e ka lehtë Seria ta njeh Kosovën nëse ka aq shumë diplomatë në Bruksel, që kanë mirëkuptim për një qëndrim të tillë dhe nëse ka shtete në BE që thonë se nuk do ta njohin Kosovën.

që ofrohen tash, nga njerëz që nuk e kanë as për së afërmi as përvojën e as reputacionin e Ahtisaarit dhe politikanëve të tjerë të përfshirë në proces, kanë për qëllim zhbërjen e gjithë asaj që është arritur dhe hapjen e një aventure të re, së cilës nuk i dihet fundi. Mund të ketë përpjekje për “zgjidhje kreative”, por sikurse edhe treshja që kishte ardhur në përfundim, edhe tash do të vinë në përfundim të njëjtë se, pak a shumë, pavarësia sipas propozimit të Ahtisaarit është zgjidhja më e mirë e mundshme. Duke kërkuar ndonjë “zgjidhje më të mirë” mund zë krijohen më shumë probleme, sesa që do të zgjidhen. E nëse mendojnë se me ndonjë “zgjidhje kreative” do të fitojnë çmimin Nobel për paqe, po ashtu, t’ua rikujtojmë se një Nobel për paqe për Kosovën tashmë është ndarë, dhe atë e ka fituar pikërisht Marti Ahtisaari. Tash është vështirë të besohet se atij duhet marrë atë çmim për t’i dhënë disa zyrtarëve në Bruksel apo Prishtinë e Beograd.

© ZHURNAL 24.10.2018, 09:26 | Xh.I. | 901 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."