Trupi votues shqiptar, i dëshpëruar nga politikat shterpe të kryeministrit Zaev
maqedonia
Trupi votues shqiptar, i dëshpëruar nga politikat shterpe të kryeministrit Zaev

Trupi votues shqiptar, i dëshpëruar nga politikat shterpe të kryeministrit Zaev

Shkup, 18 tetor -  Është pak e besueshme që të premten, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të votojë Marrëveshjen e Prespës me dy të tretat e votave të nevojshme, së këndejmi është më se e qartë që kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, do të aplikojë Planin - B, që do të thotë se vendi do të shkojë urgjentisht, me shpërndarje të Parlamentit, në zgjedhje të parakohshme parlamentare, që mund të mbahen në fillim të dhjetorit. Partitë politike shqiptare, sidomos opozita, ndonëse janë të vetëdijshme për këtë që mund të ndodh, nuk po duket që kanë filluar përgatitjet për sensibilizimin e opinionit publik, shkruan Zhurnal.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend Ismail Arsllani thotë se tashmë kanë dalë sondazhet e para për reitingun e partive politike, që i japin një siguri për fitore të forcave politike që aktualisht janë në pushtet. Por, kjo nuk do të thotë se në skenën politike nuk mund të ndodhin befasi të paparashikueshme. 

"Trupi votues shqiptar, i dëshpëruar nga politikat shterpe të kryeministrit aktual, nuk do t'i japë më me mijëra vota "blanko" për LSDM-në, e cila "harroi" shqiptarët sapo erdhi në pushtet. Shtrohet pyetja se ku do të shkojnë ato 70 mijë vota e më shumë të hedhura huq para dy vjetësh. Ato, sipas të gjitha gjasave, i pret BDI-ja në pushtet, ndonëse e lëkundur pas zgjedhjeve të fundit, si dhe opozita shqiptare e përimtuar, e cila pret këndelljen", thekson për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist.

Mirëpo, shton mëtej ai, po qe se ndodh kështu, kjo nuk do ta ndryshojë skenën politike, sepse ato vota sërish do të shkojnë në konton e LSDM-së, nga dora e partive politike shqiptare të etshme për pushet. 

"Kjo do të bëjë të mundur që LSDM-ja të ketë një mazhorancë më të fuqishme se sa kjo e tashmja, e brishtë, që të sigurojë dy të tretat e votave në Kuvend, për t'i çuar proceset reformuese përpara dhe për t'i plotësuar zotimet që iu ka dhënë ndërkombëtarëve për integrime euroatlantike", nënvizon Arsllani.

© ZHURNAL 18.10.2018, 13:10 | D.J. | 2,706 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."