Britania dhe BE-ja dështojnë në arritjen e paktit për Brexit
bota
Britania dhe BE-ja dështojnë në arritjen e paktit për Brexit

Britania dhe BE-ja dështojnë në arritjen e paktit për Brexit

Britania dhe Bashkimi Evropian kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për Brexit, në bisedimet e paplanifikuara vetëm disa ditë para samitit vendimtar të BE-së.

Në një takim më 14 tetor në mes të negociatorit të BE-së, Michel Barnier dhe Sekretarit britanik për Brexit, Dominic Raab, së bashku me 27 ambasadorë tjerë evropianë në Bruksel, është spekuluar arritja e një marrëveshjeje të mundshme për të vendosur kushtet e largimit të Britanisë nga BE-ja, transmeton REL.

Mirëpo Barnier ka thënë përmes një postimi në Twitter se “pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, disa çështje kyçe janë ende të hapura”.

Ai ka thënë se çështja që ndan të dyja palët është nevoja e “anashkalimit të një kufiri të ashpër”, në mes të Irlandës Veriore në Britani dhe Republikës së Irlandës pas Brexitit.

Qeveria Britanike ka thënë se ende ka “çështje të pazgjidhura”, mirëpo ka insistuar se negociatorët kanë bërë “përparim të vërtetë”, drejt arritjes së paktit.

Irlanda është anëtare e BE-së dhe aktualisht ekziston një “kufi i butë”, në mes të këtij vendi dhe Irlandës Veriore, pa formalitete doganore.

Kryeministrja britanike, Theresa May është duke u përballur me presion nga shumë anëtarë të Partisë Konservative për të mos bërë ndonjë lëshim ndaj BE-së, sidomos në çështjen e kufijve.

Këto bisedime të vështira e lënë të hapur mundësinë për Brexit “pa marrëveshje”, duke e bërë të paqartë marrëdhënien e bllokut evropian me këtë shtet në tregti dhe aspekte tjera, pasi Britania të largohet nga BE-ja.

May ndërkohë ka planifikuar mbajtjen e një takimi me kabinetin e tij më 16 tetor, një ditë para samitit të BE-së.

Përndryshe, Britania e Madhe pritet të largohet nga BE-ja në fund të marsit të vitit të ardhshëm.

© ZHURNAL 15.10.2018, 09:28 | Xh.I. | 174 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."