Jankullovska shpreson për falje të mundshme nga presidenti Ivanov
maqedonia
Jankullovska shpreson për falje të mundshme nga presidenti Ivanov

Jankullovska shpreson për falje të mundshme nga presidenti Ivanov

Shkup, 11 tetor - Ish ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska ende ka mekanizma që mund t’i shfrytëzojë për t’i ikur burgut, dhe një prej tyre sipas ish gjykatësit Sejfulla Osmani, është edhe falja e mundshme e presidentit Gjorge Ivanov, sikurse para dy vjetësh kur nisën hetimet masive të Prokurorisë Speciale ndaj zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së.

“Ne kemi patur rast kur presidenti i shteti ka bërë falje, që nga faza e hetuesisë, ju e dini më mirë. Ndodhi shumë shpejt. Njëherë e dha dhe pastaj e tërhoqi. Kjo e drejtë e kryetari ekziston ende dhe kjo mundësi është shumë e pritshme që të ndodhë përsëri”, ka deklaruar Sejfulla Osmani, ish gjykatës.

Por, Jankullovska mund të kërkojë edhe prolongimin e vuajtjes së dënimit me burg, me arsyetimin se ka foshnje të vogël dy muajshe. Ky prolongim mund t’i vlejë vetëm deri sa fëmija t’i bëjë 1 vjet.

“Ajo ka një foshnje të vogël, dhe ligji për ekzekutimin e aktgjykimeve të plotfuqishme penale thotë: ‘Prolongim i ekzekutimit të masës burg, pra për vuajtjen e dënimit, mund të ndodhë’, dhe këtë e thotë neni 89, alinea 7 e pikës 1. Pra nëse një grua ka fëmijë nën moshën 1 vjeç, asaj do i mundësohet prolongimi i hyrjes në burg derisa fëmija t’i bëjë 1 vjet. Duke u bazuar në këtë dispozitë ligjore besoj se Jankullovska mund të kërkojë një gjë të tillë dhe e ka të mundësuar me ligj”, tha Sejfulla Osmani.

Kjo situatë mund të jetësohet pas dy javësh, kur do të dorëzohet ankesë në Gjykatën e Apelit dhe do të vendoset nëse Jankullovska do të shkojë në burg. Për shkak të lartësisë së dënimit, Jankullovska në kushte normale do të shkonte menjëherë në burg, dhe prej aty do të kishte mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme. Avokatët e Jankullovskës na njoftuan se sot kanë dorëzuar ankesën mbi masat e shqiptuara të kujdesit ndaj ish ministres së brendshme që iu ndalua ta lëshojë Shkupin. Siç e njoftuan Televizionin Shenja avokatët e Jankullovskës, Boro Tasevski dhe Sanja Aleksiç, tashmë kërkesa është dorëzuar në gjykatë me arsyetimin se Jankullovska nuk ka rrezik të ikë nga shteti dhe nuk ka nevojë t’i ndalohet dalja jashtë Shkupit. Përveç masave të kujdesit, gjatë dy javëve të ardhshme, avokatët do të përpilojnë edhe ankesën ndaj vendimit të shkallës së parë me të cilin Jankullovska u dënua me gjashtë vite burg dhe presin që seanca gjyqësore në të cilën do të kundërshtojnë vendimin të jetë publike.

© ZHURNAL 11.10.2018, 12:24 | Xh.I. | 3,250 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."